Arbëri

Pakënaqësia për paga kalon te gjyqtarët dhe prokurorët

Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës kanë kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mos e votojnë amendamentin të cilin e ka propozuar Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, që parasheh të fshihet neni 27 i këtij projektligji.

Sipas këtyre Këshillave, votimi i këtij amendamenti bie ndesh me prioritetin e caktuar shtetëror për sundim të ligjit, i cili, përveç të tjerave, është në kundërshtim të plotë me nenin 4 të Kushtetutës, Ligjin për gjykata dhe Ligjin për Prokurorin e Shtetit, si dhe është në kundërshtim edhe me Kartën Evropiane për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Në vetvete, ky amendament përmban demotivim për punë, por edhe cenim të integritetit, mirëqenies dhe pritjeve për të pasur një efikasitet në fuqizimin e sundimit të ligjit, në kohën kur jemi duke synuar plotësimin e standardeve dhe kritereve për t’u anëtarësuar në BE dhe për të fuqizuar sundimin e ligjit në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive të tjera kriminale”, thuhet në komunikatë.

“Në këtë kontekst, përkrahja e këtij amendamenti dhe miratimi i tij do të detyrojë sistemin gjyqësor dhe prokurorial që të ndjekë të gjitha rrugët kushtetuese dhe ligjore për të mbrojtur pavarësinë dhe mirëqenien e gjyqtarëve, prokurorëve dhe përsonelit të tyre. Padyshim që siguria financiare e gjyqësorit dhe prokurorisë është parakusht themeltar për të arritur pritjet shtetërore në përmbushjen e synimit për plotësimin e standardeve dhe kritereve për t’u anëtarësuar në BE dhe për të fuqizuar sundimin e ligjit në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive të tjera kriminale”, thuhet më tej.

Këto dy Këshilla, besojnë se deputetët e Kuvendit do të tregojnë vullnetin e duhur që të ruhet stabiliteti i sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë.

Ndaj propozimeve për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka reaguar edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri që ka bërë thirrje të mos aprovohen rekomandimet e Komisionit pasi sipas tij, paraqesin degradimin e sistemit të drejtësisë.