Ideja e Haradinajt për konferencë ndërkombëtare po has në kundërshti, cilësohet si rrezikim i pavarësisë

Kushtrim Kadriu Kushtrim Kadriu 01 shkurt 2019 21:20

Ramush Haradinaj ka mbetur pa mbështetje në kërkesën e tij për organizimin e një konference ndërkombëtare për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë.

Fuqishëm, këtë e ka kundërshtuar edhe ambasadori amerikan, Philip Kosnet, në një intervistë për KTV-në.

Ambasadori Kosnett ka thënë se kjo do t’i hapte dyert për t’u diskutuar pavarësia e Kosovës dhe do të mund ta përfshinte edhe Rusinë në këtë proces, raporton KTV.

Askush nga Zyra e Kryeministrit nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje. Ndërkohë, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe partia që udhëheq PDK-ja, e ka quajtur rrezik real të hapjes së statusit të Kosovës, thirrjen e një konference ndërkombëtare.

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon që të hiqet dorë nga deklarimet e thirrjes së një konference ndërkombëtare për Kosovën. Kjo ide përmban rrezikun real të rihapjes së statusit final të Kosovës, i zgjidhur përfundimisht me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, si dhe rrezikun e involvimit të Rusisë në proces.”

Por, aspak shqetësuese nuk e sheh thirrjen e një konference ndërkombëtare, Naim Rashiti nga Grupi i Ballkanit për Hulumtim të Politikave.

Ai thotë se nëse ekziston një marrëveshje mbi 95 përqind e gatshme me Serbinë, konferenca e tillë do të ishte akt pozitiv.

Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje, gjithashtu e kanë kundërshtuar idenë e mbajtjes së kësaj konference, pasi, sipas tyre, do të sillte zhbërjen e pavarësisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Telati04/02/2019 16:28

Kurë nuk je për politik, pse miresh me to.

alipash tepelena04/02/2019 16:29

haradinaj ka tregu se sa eshte naiv, dikush te mashtroj ore ramush, konferenca kthen kosoven ne gjendjen e para pavarsis, ai qe te kshilloj per ket shiko se a ka takime me bia- n e serbis?

Shto koment

Të ngjashme