Arbëri

Protestojnë punëtorët e larguar nga puna në ELKOS

Rreth 40 punëtorë të kompanisë “Elkos Group” kanë protestuar të premten para objektit të vendit të punës, depos së kësaj kompanie, në Zahaq të Pejës.

Arsyeja e protestës siç thanë punëtorët protestues është se tetë punëtorëve, para katër ditëve, u është ndërprerë njëanshëm dhe pa paralajmërim kontrata e punës nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje. Sipas tyre arsyeja e ndërprerjes së kontratës ka qenë se nuk kanë pranuar të punojnë më tepër se tetë orë.

“Kemi kërkuar të drejtat tona që të punojmë nga tetë orë, sepse kemi punuar edhe deri në 16 orë në ditë dhe nuk na janë paguar orët shtesë dhe nuk kemi guxuar të shkruajmë kur kemi dal nga puna që kemi punuar më shumë se tetë orë. Ne nuk kemi pranuar të punojmë më falas përtej orarit normal të punës dhe na kaun nxjerrë nga puna”, pohon arsyet Hysni Nikçi, i larguar nga puna pas 18 vjet punë në ELKOS, raporton Koha Ditore.

Ndërsa, menaxheri i ELKOS-it, Blerim Nikqi dhe shef i punëtorëve të larguar nga puna, ka pohuar se pas tri vërejtjeve me shkrim, atyre u është shkëputur kontrata për shkak të përmbushjes të pakënaqshme të detyrave dhe obligimeve në punë.

“Këta kanë të drejtën e ankesës qoftë pranë komisionit disiplinor pranë kompanisë tonë që ka marre vendim për largimin e tyre, qoftë në inspektorat të punës apo gjykatë”, tha Nikçi, duke shtuar se të tjerët që duken duke protestuar vetëm janë duke u solidarizua me kolegët e larguar nga puna. Ai ka mohuar se janë detyruar të punojnë 15-16 orë në ditë.

“Ne i kemi dokumentet dëshmi që ata kanë punuar nga tetë orë dhe janë paguar për tetë orë”, pohoi menaxheri Nikçi.

Mbi 30 punëtorë tjerë që dukeshin jashtë duke protestuar, kanë pranuar se janë duke u solidarizuar, por njëkohësisht edhe ata thanë se po protestojnë sepse edhe ata janë në radhe të largohen nga puna.

“Edhe neve na kanë dërguar te burimet njerëzore në kompani dhe te komisioni disiplinorë me nga tri vërejtje, vetëm pse po kërkojmë të drejtat tona, që të mos punojmë më përtej orarit të punës pa pagesë”, u shpreh njëri prej punëtorëve protestues. Ata treguar se janë gjithsejtë mbi 50 punëtorë që po protestojnë pse do ta humbin punën, por disa prej tyre nuk kanë qenë në atë moment të pranishëm aty.