Të gjitha paratë që Telekomi pritet t’i marrë kredi për ristrukturim mund t’i shkojnë për borxh ndaj Z-Mobilet

Ardiana Thaçi Mehmeti Ardiana Thaçi Mehmeti 31 January 2019 19:16

Të gjitha paratë që qeveria pretendon t’i marrë hua nga Banka për Zhvillim dhe Rindërtim, në emër të ristrukturim të Telekomit, mund të përfundojnë në llogarinë e Z-Mobile.

Kjo pasi Telekomi i Kosovës u detyrohet atyre edhe rreth 23 milionë euro, shumë kjo e zbritur nga mbi 30 milionë euro sa ishte dënim i caktuar nga Arbitrazhi për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes me operatorin virtual, raporton KTV.

Ish-kryeshefi i PTK-së, Agron Mustafa, kishte nënshkruar marrëveshje pak muaj pas vendimit të Arbitrazhit, me zyrtarë të Z-Mobile, ku ishte thënë se u morën vesh

që borxhi i përcaktuar me vendimin e Arbitrazhit t’i falej shtetit.

Por, kjo është hedhur krejtësisht poshtë në seancën që është mbajtur në Gjykatën Ekonomike dhe Devolli asnjëherë nuk ishte pajtuar t’ia falte borxhin Telekomit.


Avokati i kompanisë Z-Mobile, ka thënë që ajo marrëveshje ka qenë për ekzekutim të pagesës.

Ai, në këtë seancë, gjithashtu ka treguar se mosrespektimi i vendimit të Arbitrazhit, parasheh që Telekomi të paguajë gjobë nga 5 mijë euro për çdo ditë të vonesës.

Megjithëkëtë, Gjykata Ekonomike, për këtë, pritet të dalë me një vendim, në muajin shkurt.

Por, moszgjidhja e kontestit me Z-Mobile mund t’i shkaktojë telashe qeverisë edhe në privatizimin e kompanisë që dikur ishte më fitimprurësja në vend.

Telekomi ka refuzuar të flasë për këtë çështje, duke deleguar përgjegjësit tek aksionari kryesor, Qeveria e Kosovës.
E, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdri Lluka, ka thënë për KTV-në se kontesti që kanë me Z-Mobile, nuk mund të jetë problem për shitje të Telekomit, sepse, sipas tij, blerësit potencial mund t’i zbritet në çmim, borxhi që Telekomi ka ndaj Z-Mobile.

Sipas Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, tentimi për privatizimin është mbulesë për krimet e bëra me kontrata milionëshe, në mesin e të cilave është edhe Z-Mobile.

Sidoqoftë, edhe Z-Mobile i detyrohet Telekomit rreth 12 milionë euro, për shpenzimet që Telekomi ia paguan Monacos, për shfrytëzimin e kodit edhe për numrat e tyre.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme