Arbëri

Haradinaj me një delegacion të lartë të OSBE-së diskutojnë për situatën në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim delegacionin e lartë të OSBE-së, kryesuar nga i dërguari i posaçëm për Evropën Juglindore dhe deputet në dhomën e Përfaqësuesve në Britaninë e Madhe, Mark Pichard, dhe zëvendës shefin e OSBE-së në Vjenë, Mark Carillet.

Siç bëhet e ditur në komunikatën nga kryeministria, Haradinaj të pranishmit i ka falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme që OSBE-ja e ka dhënë për institucionet e Kosovës dhe se bashkëpunimi mes Qeverisë së Kosovës dhe OSBE-së në Kosovë është në dobi të forcimit të institucioneve demokratike të vendit si dhe të qeverisjes së mirë.

Në të njëjtën kohë, Haradinaj së bashku me delegacionin e lartë të OSBE-së kanë diskutuar për gjendjen e përgjithshme politike në Kosovë si dhe thellimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen.

Në këtë takim palët janë dakorduar për forcimin e partneritetit të dyanshëm.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e këtij delegacioni kanë siguruar se do të vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës.