Arbëri

Projektligji për Komisionerin e FSK-së diskutohet në shkurt

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka shqyrtuar dhe ka miratuar planin e punës për vitin 2019.

Me këtë rast, deputetët kanë kërkuar që projektligji për Komisionerin e Forcës së Sigurisë së Kosovës të miratohet sa më shpejt, e pas diskutimit është votuar që ky projektligj të diskutohet në muajin shkurt.

Në këtë komision u tha se Projektligji për Komisionerin e FSK-së do të krijojë bazën ligjore për themelimin e institucionit të Komisionerit, si organ që do të sigurojë mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të FSK-së.

Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, tha se projektligji është gati që disa vite dhe arsyeja pse nuk është votuar ka qenë mandati i FSK.

Sipas tij, meqë tash FSK ka mandat ushtarak është koha e duhur që ky projektligj të kalojë.

“Jemi në kushtet e nevojshme dhe të duhura për ta shqyrtuar një projektligj, i cili tashmë ekziston si draft. Bëhet fjalë për projektligjin ose draft ligjin për Komisionerin e mbrojtjes dhe sigurisë, ky projektligj është hartuar vite më herët, ai tash është i draftuar. Por, pse nuk ka hyrë deri tash në procedim ka qenë thjeshtë në pritje të ndryshimit të misionit të FSK-së. Meqë tash FSK ka mision ushtarak dhe Ministria e Mbrojtjes është themeluar, mendoj që janë kushtet e duhura që ne tash ta procedojmë”, tha ai.

Selimi ka shtruar edhe një çështje tjetër, se në planin e punës për muajin shkurt është paraparë mbikëqyrja e zbatimit të ligjit për inspektoratin e Policisë së Kosovës. Për këtë ai ka kërkuar që të bëhet me herët.

Gjithashtu, ka kërkuar që edhe Ligji për pensionimin e zyrtarëve policorë të bëhet më herët.

Edhe deputeti tjetër i VV-së Xhelal Sveçla, ka kërkuar që ky projektligj të jetë më herët sesa muaji maj, kur ishte paraparë në planin e punës.

“Ne kalendarin tonë veç është paraparë ky ligj, por është paraparë në muajin maj. Unë mendoj që meqë janë gati është shumë më mirë me u sjell më herët dhe në vazhdën e këtyre ndryshimeve që i kemi bërë ne për pakon për Ushtrinë e Kosovës vazhdojmë punën drejtë kompletimit të të gjitha instrumenteve në këtë fushë”, tha ai.

Në të njëjtën kohë ai ka kërkuar që ligji për pensionimin e policëve të jetë më herët sesa muaji korrik kur është përcaktuar në planin e punës. Po ashtu, ka propozuar që më herët të shqyrtohet projektligji për siguri kibernetike.

Sveçla ka propozuar që në plan të punës duhet të jetë qysh në muajin shkurt një vizitë në pikat kufitare.

Në këtë mbledhje të komisionit është trajtuar edhe letër dërguar nga Inspektorati i Policisë së Kosovës, që ka të bëjë me pozicionimin e Inspektoratit Policor të Kosovës në projektligjin për zyrtarët publik dhe në projektligjin për pagat.

Me këtë rast, deputeti i PDK-së Fatmir Xhelili, ka thënë se të vetmit që mund të dëmtohen janë hetuesit policor në kuadër të Inspektoratit Policor.

“Të vetmit që munden me u dëmtua bukur shumë janë hetuesit policor në kuadër të Inspektoratit Policor, se faktikisht hetuesit policor kanë edhe kompetenca ekzekutive, marrin pjesë në arrestime, marrin pjesë në hetime. Që ka një dallim evident prej inspektorëve të Inspektoratit Policor që ata vetëm merren me inspektime, analiza, vlerësime dhe analiza parashikuese”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti Sveçla, ka thënë se kërkesa e Inspektoratit Policor është e arsyeshme.

:

“Për mendimin tim në shumicën e rasteve është e arsyeshme. Tash dikush që e heton një pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe potencialisht merr masa ndaj tij me pas kategorizimin më ulët se ai është e padrejtë dhe është shumë demotivuese. Unë mendoj që ne si Komision përderisa e mbikëqyrim dhe sa herë që ne vlerësojmë që po gabojnë kërkojmë masa ndaj tyre, mendoj që është e rrugës që edhe t’i përkrahim në ato momente kur kanë të drejtë. Kështu që, kërkojë që si komision që t’i mbështesim kërkesat e tyre. Posaçërisht kish pas tendencë që edhe rrezikshmërinë në punë me ua heq fare duke i cilësuar si të pa rrezikuar. Unë mendoj që është e kundërta, nëse kemi veprimtari kriminale qoftë individuale, qoftë të grupeve të vogla brenda për brenda institucionit Policor kush i heton ata ai është më i rrezikuari nga të gjithë. Është plotësisht jo logjike me e heq rrezikshmërinë tek këto pozicione dh e normalisht nivelin në kuptimin e pagës”, tha ai.

Në këtë mbledhje të Komisionit është votuar edhe shqyrtimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për letërnjoftim.