Arbëri

Pas investimeve, në Klinika e Pulmologjisë nuk pritet më për bronkoskopi

Descriptive Text

Klinika e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës do të jetë funksionale plotësisht shumë shpejt, pas investimeve të bëra, me qëllim të përmirësimit të kushteve për pacientët dhe stafin mjekësor.

Në kuadër të investimeve në QKUK, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, kanë ndarë mjete për renovimin objektit të Klinikës së Pulmologjisë.

Përveç dyshemesë, zgjidhje i është dhënë edhe hyrjeve të kateve të saj, të cilat tash hapen dhe mbyllen nga dyer elektronike, për t’i ofruar qetësi pacientit, rendin e kërkuar klinikës për vizitat dhe më shumë siguri stafit mjekësor.

Më krah të zyrës së mjekëve të repartit është rregulluar edhe një dhomë për specializantët.

Drejtoresha Rukije Mehmeti thotë se Klinika e Pulmologjisë po këndellet.

Sipas përfaqësuesve të klinikës, nga muaji dhjetor i vitit të shkuar, gjithashtu, aparaturat diagnostike, si bronkoskopi dhe ultrazëri, kanë filluar të punojnë me kapacitet të plotë, derisa lista e pritjes për CT në mushkëri është hequr.

Bahri Thaçi, mjek në Klinikën e Mushkërive, thotë se asnjë person nuk ka nevojë të presë më për bronkoskopi.

“Pajisja me bronkoskop dhe ultrazë në këtë klinikë, duke marrë parasysh që kemi ekspertë që dinë të punojnë me këto pajisje, këtë klinikë e ka ngritur në nivelin e rajonit. Sot asnjë person në Kosovë nuk pret që ta bëjë një Bronkoskopi. Ndërsa, sa i përket ultrazërit, është hera e parë që në Kosovë bëhet nxjerrja e ujit prej mushkërive”, deklaron Thaçi.

Pamjen e dhomave të rinovuara e plotësojnë 58 shtretërit e rinj, për pacientët që do të kërkojnë shërbime mjekësore në Pulmologji, ndërsa 10 të tjerë do të mbërrijnë kur të përfundojë krejt puna.

Arben Sahiti, i shtrirë në këtë repart, shprehet i kënaqur me ndryshimet e bëra.

Në Klinikën Pulmologjike punojnë 64 veta. Prej tyre, 49 punëtorë mjekësorë: 14 mjekë specialistë, 1 fizioterapeut , 31 infermiere/ë, 2 laborantë dhe 1 teknik rentgeni.