Arbëri

Sindikata e “Telekomit” kundërshton privatizimin, pranon ristrukturimin

Sindikata e Punëtorëve të Postës dhe Telekomit të Kosovës është kundër privatizimit të Telekomit.

Lami Balaj, kryetar i Sindikatës, pas një takimi me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, megjithatë ka thënë se e përkrahin ristrukturimin e kësaj ndërmarrjeje, raporton KTV.

Ai ka bërë të ditur se ia paraqitën shqetësimet ministrit se ndërmarrja nuk është menaxhuar si duhet, dhe për këtë, sipas tij, është i nevojshëm ristrukturimi.

Ministri Lluka, në anën tjetër, ka deklaruar se ristrukturimi që do të ndodhë në Telekom, është i domosdoshëm.

Ai ka thënë se Sindikata do të jetë e përfaqësuar në vendimmarrje.

Ekzekutivi kosovar javën e kaluar mori vendim për nisjen e procedurave për privatizimin e Telekomit të Kosovës.

E, shumica e punëtorëve janë deklaruar kundër privatizimit të kësaj ndërmarrjeje, e cila viteve të fundit ka punuar me humbje nga 8 deri në 52 milionë euro në vit.

Për blerjen e Telekomit, ministri Lluka ka thënë se tashmë kanë shfaqur interesim kompani nga Evropa e Amerika.