Arbëri

Në RTK s’pajtohen me uljen e pagave siç parashihet në Ligj

7 milionë e 444 mijë euro nga buxheti i shtetit, janë shpenzuar për të paguar pagat e 784 punëtorëve të punësuar në Televizionin Publik të Kosovës, përfshirë menaxhementin dhe Bordin, në vitin 2017.

Në këtë shifër nuk përfshihen rreth 200 punëtorë që kanë kontratë mbi vepër, raporton KTV.

Bazuar në të dhënat e raportit të auditimit të fundi të RTK-së, një anëtar i Bordit është paguar 1 mijë e 268 euro në muaj.

Por, Kuvendi i Kosovës i cili deri tash ka ndarë buxhetin çdo vit për RTK-në, ka vendosur t’u vë një tavan pagave në televizionin publik.

Kështu, koeficientet për punëtorët aty janë nga 1 deri në 7, që i bie që paga më e lartë bazë në RTK do të jetë 1 mijë e 673 euro.

Kjo është përcaktuar në amendamenti 26 të Projektligjit të Pagave, i cili do të shqyrtohet të martën, në Komisionin Parlamentar për Administratë Publike.

Kjo ka nxjerrë në rrugë njërën nga Sindikatat e RTK-së, që kanë kundërshtuar një gjë të tillë duke e cilësuar këtë si ndërhyrje në pavarësinë e saj.

Por, bazuar në rregulloren e brendshme të RTK-së, që përcakton pagat, rrogën më të lartë e ka zëvendësdrejtori i RTK-së, që paguhet 1 mijë e 803 euro.

Kurse, gazetarët kanë pagën bazë nga 654 deri në 739 euro.

Në këtë dokument nuk përcaktohet rroga e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, por bazuar në deklarimin e pasurisë drejtori i deritanishëm i RTK-së, Mentor Shala, ka pasur një rrogë neto vjetore prej 22 mijë e 724 eurosh.

RTK-ja, aktualisht, është duke funksionuar me ushtrues detyre të drejtorit, sepse konkursi është anuluar nga Bordi me arsyetimin se nuk ka pasur kandidat që i plotësonin kriteret e kërkuara.