Arbëri

Inspektorët e shëndetësisë rrezikojnë të humbin licencën e mjekut

Nëntë mjekë, të cilët punojnë si inspektorë të shëndetësisë, po rrezikojnë të humbasin licencën e mjekut.

Mosushtrimi i profesionit primar për një kohë të gjatë, ka bërë që të vihet në pikëpyetje profesioni i tyre, ai i mjekut, raporton KTV.

Inspektorët e shëndetësisë, që janë mjekë, merren me kontrollime dhe inspektime të ndryshme në klinikat e QKUK-së, por edhe ato private, derisa gjithashtu trajtojnë ankesa të ndryshme të pacientëve.

Sipas një rregulloreje të Odës së Mjekëve të Kosovës, të gjithë profesionistët shëndetësore, të cilët brenda 5 vjetëve nuk e ushtrojnë profesionin e mjekut të paktën dy vjet, u humbet licenca.

Por, sipas Diana Shehu-Devajës, ajo dhe kolegët e saj po rrezikojnë të mbesin pa asnjërën punë, në rast se institucioni, i cili i licencon, vendos t’ua marrë licencën e mjekut.

Kreu i Odës së Mjekëve të Kosovës thotë se kjo çështje është e rregulluar me aktet ligjore në fuqi dhe se Oda nuk ka çfarë të bëjë më shumë.

Oda e Mjekëve i ka dërguar letër Ministrisë së Shëndetësisë duke kërkuar nga ajo që këta inspektorë të mos trajtohen si shërbyes civilë, por si staf mjekësor i sistemit shëndetësor.

Inspektorët shëndetësorë vazhdojnë të jenë në grevë dhe kërkesë është barazimi i pagave me kolegët e tyre mjekë.