Arbëri

Punëtorët e Telekomit dalin kundër privatizimit, “pakoja atraktive financiare” duhet shqyrtuar

Ka 40 vjet që Milazim Alshiqi punon në Telekomin e Kosovës.

Ai thotë se është kundër privatizimit të kësaj ndërmarrjeje, raporton KTV.

E, nëse veç do të bëhej privatizimi, ai shton se duhet një analizë më e thellë.

Për ofertën e ministrit Valdrin Lluka për pakon financiare për punëtorët që vullnetarisht largohen nga vendet e tyre të punës pas privatizimit, Alshiqi ka thënë se duhet të shqyrtohet.

Ndërsa, në “Interaktiv” të KTV-së, të mërkurën, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se parashikohet një “pako atraktive financiare” për punëtorët që vullnetarisht duan të largohen nga vendet e tyre të punës në Telekom, pas privatizimit.

Lluka ka shpjeguar procesin që do të çojë te privatizimi, i cili, sipas tij, do të ndodhë kah fundi i vitit, teksa në gjashtë muajt e parë fokusi do të jetë në ristrukturim.

Kjo parasheh shkurtim stafi dhe pagash.

Ndërsa, nga Sindikata e Punëtorëve të Telekomit, kanë thënë se janë kundër privatizimit dhe se kjo nuk duhet fare të përmendet derisa të dalin para drejtësisë ata që e kanë sjellë në këtë gjendje këtë ndërmarrje.