Arbëri

“Versioni i Qeverisë për Projektligjin për Pagat ka deformuar qëllimin dhe objektivat e tij”

Anëtarë të Komisionit për Administratë Publike, kanë punuar në Projektligjin për Pagat për të dytën ditë, por një gjë të tillë nuk e kanë bërë në hapësirat e Kuvendit.

Lidhja Demokratike konsideron se dispozitivi 27, i propozuar nga qeveria, e nxjerr këtë ligj tërësisht nga qëllimi i tij, raporton KTV.

Deputetja Bajrami thekson se projektligji në formën aktuale, nuk sjell barazi në sektorin publik dhe nuk do të ulë pakënaqësitë në shumë sektorë.

Dispozitivi 27 parasheh që funksionarët publikë, duke nisur nga kryeministri i vendit, pagat e të cilëve zvogëlohen me ligj, të marrin për vitin e parë një shtesë prej 100%, që do të barazohej me pagën aktuale, që kryeministri e ka 2950 euro.

Idenë e ka paraqitur dhe e mbron qeveria, por e kundërshtojnë deputetët.

Ndërkohë, në publik kanë dalë akuza e kundër-akuza për vjedhje idesh e përvetësim meritash.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, në Facebook ka akuzuar kryetarin e Kuvendit dhe të PDK-së, Kadri Veseli, se e ka spiunuar idenë e grupit për ulje të pagave.

Më vonë, deputeti Ramadani ka reaguar ndaj ish-koleges së tij, tani deputete e PSD-së, Shqipe Pantina, se ajo nuk kishte qenë fare në komision kur ishin pajtuar për uljen e koeficienteve nga 1 deri në 10.

E, Florent Spahija nga KDI, është i mendimit se pikërisht për të shmangur pakënaqësitë në një sektor tjetër, atë të drejtësisë, qeveria ka dalë me dispozitivin 27.

Projektligji për pagat pritet të dërgohet në Kuvend për votim, në fund të këtij muaji.