Arbëri

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, pjesë e Asamblesë së KE-së në Strasburg

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i përbërë nga Xhavit Haliti, kryesues, dhe Aida Dërguti e Ismet Beqiri, anëtarë, po merr pjesë në punimet e sesionit të parë të rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në Strasbourg të Francës, që kanë filluar më datën 21 janar dhe do të zgjasin deri më 25 janar 2019.

Delegacioni i Kuvendit, përveç pjesëmarrjes në punimet e sesionit, ka marrë pjesë edhe në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare të Këshillit të Evropës, me theks të veçantë në Komisionin për Çështje Politike dhe Demokraci dhe Komisionin për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut të AP të Këshillit të Evropës.

Temat të cilat janë diskutuar, sipas njoftimit për media, dërguar nga Zyra për Komunikim e Kuvendit, përfshijnë një spektër çështjesh e temash.

Njëherazi, delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, është takuar me anëtarë të delegacionit të Parlamentit të Bullgarisë dhe të Suedisë në AP të Këshillit të Evropës dhe ka biseduar lidhur me mbështetjen e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës në çështjet që ndërlidhen me këtë organizatë.