Arbëri

Haradinaj bëri homazhe te shtatorja dhe kulla e atdhetarit Haxhi Zeka

Foto: ZKM

Kontributi i Lidhjes së Pejës, e njohur edhe si Besëlidhja e Pejës, sepse njëri dokument është vetë besa e dhënë mes prijësve shqiptarë, të të gjitha trojeve, na mban edhe neve sot dhe falë asaj lidhje, falë angazhimit të atëhershëm mund të themi se e kemi Pejën sot, e kemi Kosovën.

Kështu u shpreh kryeministri Ramush Haradinaj, pas homazheve te shtatorja dhe kulla e atdhetarit Haxhi Zeka, me rastin e shënimit të 120 vjetorit të Lidhjes së Pejës.

Kryeministri tha se sot janë dy data, fillimi i punimeve të Kuvendit të Lidhjes së Pejës, që ka zgjatur deri më 28 janar dhe ka nxjerrë në atë kohë dy dokumente të rëndësishme, me të cilat është definuar e drejta e shqiptarëve.

“Lidhja e Pejës, të cilës i ka prirë Zekë Byberi, i njohur si Haxhi Zekë Byberi, edhe pse nuk ka arritur ta kryej misionin e vet, ka dërguar një porosi të shqiptarët, për të drejtën e shqiptarëve në atë kohë. E drejta jonë në atë kohë ka qenë e rrezikuar nga fqinjët, por kontributi i Lidhjes së Pejës, e njohur edhe si Besëlidhja e Pejës, sepse njëri dokument është vetë besa e dhënë mes prijësve shqiptarë, të të gjitha trojeve, jo vetëm të vilajetit të Kosovës, na mban edhe neve sot dhe falë asaj lidhje, falë angazhimit të atëhershëm mund të themi se e kemi Pejën sot, e kemi Kosovën”, tha Haradinaj.

Ai deklaroi se në të njëjtën kohë është përvjetori i vrasjes së heroit, atdhetarit shqiptar Isa Boletini dhe në nderim të këtyre figurave janë bërë homazhe, duke dërguar porosinë se jemi në tokën tonë, nuk i kemi askujt borxh dhe nuk do të lejojmë më tutje të vazhdojnë projektet e të tjerëve që të merret prej nesh, prej shqiptarëve, prej tokës tonë, prej të drejtës tonë.

“Ne jemi të respektuar si popull, dimë t’i respektojmë ata që jetojnë me ne, dimë t’i respektojmë fqinjët, jemi mik për mikun, dimë ta respektojmë edhe armikun, por kanë ndryshuar kohërat, shqiptarët nuk japin më”, u shpreh kryeministri.

Kreu i ekzekutivit tha se këtë vit do të fillohet me autostradën më të madhe në Kosovë, atë Pejë-Prizren, dhe se Dukagjini nuk ka qenë kurrë më i përkrahur sesa tash me projektet nacionale.