Dy muaj që kur Kosova vuri taksën 100 % për mallrat Serbe, janë shpeshtuar tentativa për kontrabandë

Shahadije Bikliqi-Dragaçina Shahadije Bikliqi-Dragaçina 21 January 2019 19:19

Ky automjet me mallra ushqimore, për t’i ikur taksës prej 100 për qind, ilegalisht ka futur produkte të ndryshme me origjinë serbe në Kosovë.

Derisa tentativa të tilla të kontrabandës së mallrave janë shpeshtuar, Dogana e Kosovës ka regjistruar të hyra minimale nga importi i Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.

Sot janë bërë dy muaj që nga vënia e masës mbrojtëse 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës nga ana e Qeverisë së Kosovës. Këtu, në pikën kufitare me Serbinë, në Merdarë, gjatë kësaj periudhe asnjë kamion nuk ka hyrë në Kosovë me mallra komerciale, raporton KTV.

Sipas zyrtarëve policorë, në këtë pikë kufitare ka pasur vetëm kamionë që e kalojnë Kosovën transit, e që kanë për destinacion vendet e rajonit, sikurse Shqipëria e Maqedonia.

Sipas Adriatik Stavilecit, zëdhënës në Doganën e Kosovës, periudha e njëjtë e importit nga Serbia e një viti më parë, as nuk mund të krahasohet, ngase siç thotë, para kësaj mase mbrojtëse numri i maunave që kanë hyrë në Kosovë, ishte deri në 150 sosh në ditë.

Janë vetëm pak kamionë që kanë hyrë në Kosovë gjatë këtyre dy muajve dhe të cilët kanë importuar vetëm lëndë të parë.

Sipas zyrtarëve doganorë, disa biznese që kanë pasur kontrata të lidhura më herët me kompani në Serbi e që është dashur t’i respektojnë ato, e kanë paguar edhe taksën 100 për qind.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme