Greva në arsim: SBASHK-u paralajmëron radikalizim, Qeveria s’pranon kushtëzim

Urim Isma Urim Isma 20 January 2019 19:02

Të hënën pritet të vazhdojë dita e gjashtë e grevës në të gjitha institucionet e arsimit.

Në SBASHK thonë se nuk kanë arritur marrëveshje me institucionet për ngritje të koeficientit.

Sipas tyre, mësimdhënësit janë në shkallën më të ulët sa i përket koeficienteve, e që është ofenduese për ta.

Ymer Ymeri, anëtar i Këshillit Grevist në SBASHK, paralajmëron se greva mund të zgjasë me muaj, si rezultat i mosgatishmërisë së institucioneve për t’i plotësuar kërkesat e mësimdhënësve.

Përveç kësaj, greva do të vazhdojë me radikalizim të masave.

Ymeri shprehet pesimist për arritjen e një kompromisi të shpejtë me Qeverinë.

E, për të gjithë ata që janë kundër grevës, dhe i bëjnë presion SBASHK-ut, këta të fundit do të përgatisin padi.

Një të tillë do ta bëjnë edhe për kryetarin e Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, i cili ka thënë se do të gjejë mësimdhënës vullnetarë për ta vazhduar mësimin, që për SBASHK-un konsiderohet presion ndaj grevistëve.

Por, kritikat ndaj grevistëve kanë qenë të shumta, pasi që nxënësit po pësojnë më së shumti.

Këshilli i Prindërve të shkollës “Faik Konica” i ka thënë KTV-së se ka kërkuar nga institucionet dhe nga SBASHK-u të ulen për të arritur një zgjidhje.

Ata u kanë bërë thirrje të gjithë prindërve të shkollave të tjera, t’u bashkohen kërkesave të tyre.

E, në Qeverinë e Kosovës kanë treguar se janë duke punuar në Ligjin e Pagave në mënyrë që përmes tij të rregullohet edhe kjo çështje.

Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, ka thënë se presioni dhe vendosja e kushteve nga grevistët nuk prodhon zgjidhje.

Greva e mësimdhënësve ka filluar më 14 janar dhe ata, ndër të tjera, kërkojnë rritjen e koeficientit për paga prej 30 për qind.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme