Sherifi: Heqja dorë nga taksa do të inkurajonte Serbinë të mos ndryshojë qëndrim ndaj Kosovës

Sherifi: Heqja dorë nga taksa do të inkurajonte Serbinë të mos ndryshojë qëndrim ndaj Kosovës

20 janar 2019 14:33

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka thënë se politika dinjitoze ndaj Serbisë nuk është popullizëm, por obligim shtetëror. Sherifi, është shprehur kundër tërheqjes së taksës prej 100% për produktet serbe.

Sherifi ka thënë se qeveria aktuale e Kosovës e ka marrë një rrugë tjetër në raport me Serbinë.

Më tutje ai ka thënë se heqja dorë nga kjo rrugë do të ishte vendim i gabuar, sepse do të inkurajojnë Serbinë të mos ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës.

Postimi i plotë i Sherifit në Facebook:

Politika dinjitoze ndaj Serbisë nuk është popullizëm, por obligim shtetëtor!

Që nga ardhja në krye të qeverisë së Kosovës në vitin 2008 Hashim Thaçi në mënyrë autoritare ka diktuar drejtimin në të cilin ka ecur shteti ynë deri më sot. Ai përcaktoi politikat qeverisëse qoftë në rrafshin e brendshëm, qoftë në rrafshin e politikës së jashtme. Një numër i konsiderueshëm i vendimeve që ka ndërmarrë gjatë kësaj dekade kanë qenë në funksion të fushatave elektorale dhe jo në përputhje me një strategji afatgjate zhvillimore. Nuk do të zgjerohem t’i analizoj hollësisht vendimet e shumta të kësaj natyre, të cilat kanë qenë objekte të kritikave që në atë kohë.

Po përqendrohem në rrafshin e imponimit të një politike të jashtme që ka qenë gjithmonë me pasoja të mëdha për vendin. Sidomos imponimi i të ashtuquajturit “Dialog teknik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë” ka qenë fatal, sepse rezultatet e tij janë një DEBAKËL në plotë kuptimin e fjalës! Nëse i bëjmë një rezyme të shkurtër kontekstit historik, atëherë duhet të ritheksojmë se Hashim Thaçi e mori qeverisjen e vendit në momentin kur kishin përfunduar bisedimet për statusin politik të Kosovës dhe Marti Ahtisari, i cili në emër të Kombeve të Bashkuara udhëhoqi negociatat mes Serbisë dhe Kosovës, në raportin që i dorëzoi Këshillit të Sigurimit theksonte qartë se “opsioni i vetëm i qëndrueshëm për Kosovën është pavarësia e saj”. Në këto rrethana, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi deklaratën e pavarësisë, të cilën para deputetëve e lexoi Hashim Thaçi, në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës.

Pas shpalljes së pavarësisë së vendit dhe njohjeve ndërkombëtare nga shtetet më të fuqishme demokratike në botë realiteti i shtetësisë së Kosovës u shndërrua në një fakt të patejkalueshëm. Legjitimitetin e vendimit të Kuvendit të Kosovës për të shpallur pavarësinë e forcoi edhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Është e natyrshme se çdokush ka pritur që pas vendimit të GJND-së të forcohej shtetësia e Kosovës. Fatkeqësisht, bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë normalizuan dhe forcuan pozitën e Serbisë në arenën ndërkombëtare dhe nga agresori që kishte kryer krimet më monstruoze në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore ndikoi që të fillojë procesi për krijimin e Gjykatës Speciale për të dënuar UÇK-në mbi bazën e dosjeve të sajuara prej saj.

Orientimi i gabueshëm që Hashim Thaçi kishte zbatuar në politikën e jashtme, sidomos në raport me Serbinë, e solli Kosovën në gjendje të tillë që pas një dekade nga shpallja e pavarësisë dhe njohjeve ndërkombëtare ta kthejë procesin mbrapa duke e shndërruar “dialogun e filluar për çështje teknike”, në “dialog për integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit”. Në kuadër të këtij konteksti duhet të shihet edhe fakti se disa shtete kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe kjo paraqet rrezik serioz për afirmimin e shtetit tonë në skenën politike ndërkombëtare.

Qeveria aktuale e Kosovës me kryeministër Ramush Haradinajn ka marrë një rrugë tjetër në raport me Serbinë. Ajo ka marrë disa vendime në mënyrë që t’i japë përgjigje adekuate sulmeve të Serbisë kundër shtetit të Kosovës. Vendimi më i rëndësishëm është ai për taksën 100%. Hashim Thaçi ishte i gatshëm t’ua japë të tjerëve postin e kryeministrit, por me kusht të vazhdimit të politikave të tij. Ai nuk është i gatshëm të pranojë që vendi, në raport me Serbinë, të aplikojë politika të kundërta me të tijat, sepse do të vërtetonin se ai gjatë tërë viteve të qeverisjes së vendit kishte pasur politika të gabuara në raport me Serbinë. Prandaj ai kërkon heqjen e taksës dhe do të bëjë çdo gjë që është në dorën e tij, madje deri në përpjekjet për rrëzimin e qeverisë vetëm e vetëm që të detyrojë qeverinë të heqë dorë nga politikat aktuale ndaj Serbisë.

Heqja dorë nga rruga që ka marrë Qeveria e Kosovës do të ishte vendim i gabuar, sepse do të inkurajonte Serbinë të mos ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës. Në të njëjtën kohë do të konfirmonte si të drejtë politikën nënshtruese të Thaçit karshi Serbisë. Nëse hiqet taksa pa u hequr arsyet që kanë çuar në vënien e saj, gjithçka do të kthehej sërish në binarët e mëparshëm. Një vendim i tillë do të dërgonte një mesazh të keq sepse do të ishte dëshmi se Kosova pranon botërisht që nuk është në gjendje të bëj asgjë për t’u mbrojtur nga sulmet agresive të cilat Serbia i kryen përmes strukturave të saj në Kosove dhe nëpërmjet luftës diplomatike kundër shtetit tonë!

Heqja dorë nga rruga e re e nisur nga kjo qeveri në një mënyrë do të ndikonte negativisht edhe në të ashtuquajturën fazë të fundit të dialogut! Do të forconte bindjen se vetëm duke iu nënshtruar kërkesave të Serbisë do të mund të arrihej marrëveshja e shumë trumbetuar. Për një dekadë provuam rrugët e vjetra dhe të gjithë njëzëri janë duke thënë se nuk na solli në cakun e pritur. Tani duhet të vazhdojmë të ecim në këtë rrugë të re, të nisur nga kjo qeveri. Vetëm në këtë mënyrë do të dëshmojmë se qeveria, si institucion ekzekutiv i vendit, është duke i kryer obligimet e veta në përpilimin dhe zbatimin e politikave që janë në interes të qytetarëve të saj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme