Arbëri

VV: Lufta e UÇK-së ishte çlirimtare ndaj një pushtuesi kriminal, të gjykohen ata që abuzuan me pushtetin

Descriptive Text

Lëvizja Vetëvendosje nuk dëshiron të hetohet lufta e UÇK-së si luftë kriminale, sepse ajo ka qenë luftë çlirimtare ndaj një pushtuesi kriminal, por ky subjekt dëshiron dhe do të punojë vazhdimisht që të gjykohen të gjithë ata që kanë abuzuar me pushtetin, të korruptuarit që po e gërryejnë Kosovën përbrenda dhe po e shtrembërojnë fotografinë e saj nga jashtë.

Kështu ka deklaruar kryetari i VV-së për Prishtinë, Arben Vitia, gjatë hapjes së mbledhjes së Këshillit të Qendrës së Vetëvendosjes në Prishtinë.

Ai deklaroi se Kosova po udhëhiqet nga njerëz të shantazhuar, e për këta të fundit, tha se nën shantazh po e pranojnë edhe Gjykatën Speciale.

“Ne nuk duam të luftohet ose të hetohet lufta e UÇK-së si luftë kriminale, sepse ajo ka qenë luftë çlirimtare ndaj një pushtuesi kriminal, por ne duam dhe do të punojmë vazhdimisht që të gjykohen të gjithë ata që kanë abuzuar me pushtetin, të korruptuarit që po e gërryejnë Kosovën përbrenda dhe po e shtrembërojnë fotografinë tonë nga jashtë, madje, këtë njerëz të shantazhuar po përpiqen të japin edhe territor për Serbinë sipas të ashtuquajturit kompromis të dhimbshëm”, ka thënë Vitia.

Ai ka folur edhe për situatën në Kosovë, ku ndër të tjerash ka përmendur edhe njohjet që ka humbur Kosova gjatë 10 viteve të fundit. Sipas tij, Kosova nuk ka shumë të arritura gjatë kësaj dekade.

“A është rritur niveli ekonomik i familjeve mesatare të Kosovës në këto dhjetë vite, a është zvogëluar papunësia, a është luftuar korrupsioni? Fatkeqësisht në të gjitha pyetjet përgjigja është dëshpëruese. Me këtë nivel dhe shkallë të zhvillimit, Kosovës do i duhen edhe rreth 40 vite për ta arritur Kroacinë”, ka thënë Vitia.

Pavarësisht se nuk janë më në krye të Prishtinës, Vitia ka premtuar se VV do të qëndrojë çdo herë afër qytetarëve të kësaj komune, sepse sipas tij, kjo komunë është fituar nga votat për Vetëvendosjen.

“Ne do të vazhdojmë të jemi opozita që ngre zërin pandalur për problemet e qytetarit për shkak se edhe ne jemi subjekti me më së shumti përkrahje në Prishtinë. Por kemi edhe një arsye për të qenë edhe më të angazhuar edhe më të zellshëm, sepse vota qytetare, pavarësisht zhvillimeve të fundit në komunën e Prishtinës, ishte votë për Lëvizjen Vetëvendosje”, ka deklaruar Vitia.

Sipas tij, gjatë vitit 2018 qendra e VV-së në Prishtinë ka arritur një numër prej 6000 anëtarësh.

E për vitin 2019, Vitia ka njoftuar se fokusi i tyre do të jetë hapja e pikave të reja dhe angazhimi më i madh i grave dhe vajzave në këtë parti.