Arbëri

Taksa – çështja që ka vënë në pikëpyetje miqësinë Kosovë - SHBA

Foto: Koha / ilustrim

Deklarata të ndryshme po vijnë nga politikanë kosovarë rreth taksës së vënë ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, temë e cila ditëve të fundit ka marrë hov edhe më të madh.

Derisa kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala, dalin të jenë kundër heqjes së taksës, ose së paku pezullimit të saj, presidenti Hashim Thaçi e të tjerë liderë politikë vendorë, e thonë të kundërtën. Megjithatë, kryeministri kohëve të fundit ka zbutur fjalët.

Gjatë javës së kaluar, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës do ta pezullonte përkohësisht taksën, vetëm pas garancës ndërkombëtare se do të ulen për ta nënshkruar marrëveshjen përfundimtare, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke.

E siç bën zakonisht kreu i shtetit, Hashim Thaçi, pa përmendur emra e pa përcaktuar qartë se për çfarë flet, dje ka reaguar ndaj, siç ka shkruar ai, “tekeve personale të liderëve shtetërorë që po guxojnë të lëndojnë interesin shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë”. Kur thotë se “veprimet populiste nuk guxojnë të cenojnë vizionin dhe vendimet strategjike të Kosovës”, lë të kuptohet se është fjala për taksën ndaj produkteve serbe, të cilën e ka vënë Qeveria e Kosovës.

Ministri i Tregtisë, Endrit Shala, sot në një përgjigje për Koha.net, shkurtimisht tha se taksa nuk hiqet edhe pas kërkesave dhe presioneve të vazhdueshme, veçanërisht nga SHBA-ja.

“Taksa është në fuqi, do të mbetet në fuqi derisa të eliminohen arsyet që e detyruan Qeverinë e Kosovës ta vë atë”, tha Shala.

Një qëndrim tjetër e pati ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha. Sipas saj, assesi s’bën të lëndohet partneriteti me SHBA-në.

“Qeveria ka mandat dhe obligim të mbrojë interesin e qytetarëve të Kosovës dhe shtetin e Kosovës, në çfarëdo situate, edhe me rastin e taksës dhe bashkëpunimin me aleatët tanë, dhe që nuk bën të lejojmë assesi që aleanca dhe partneriteti me SHBA-në të lëndohet”, tha Hoxha në “Intervistën e Javës” për Koha.net.

Edhe politologu Belul Beqaj, në një intervistë për “Koha Ditore”, thotë se taksa ishte reagim emotiv manipulues për ata që serbët dhe Serbinë e përjetojnë, për shumë arsye, si makth.

Beqaj, teksa ka komentuar zbutjen e Haradinajt dhe mundësinë që ta pezullojë masën për t’i dhënë shans arritjes së marrëveshjes, ka thënë se “nuk është turp të pranohet publikisht se vendimmarrja e lidershipit politik të Kosovës fillon dhe përfundon në Ambasadën amerikane”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e as Brukseli nuk shohin ndonjë përfitim të Kosovës nga vendosja e taksës prej 100 për qind për mallrat serbe. Shteti që synon t’i japë vulë marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, ka kërkuar nga Qeveria pezullimin e menjëhershëm të vendimit për taksën.

Ambasada Amerikane në Prishtinë ka listuar dy interesat thelbësore në fazën e ardhshme, që duhet të jenë prioritet për Kosovën. Kanë përmendur të ardhmen evropiane dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, përmes një shkrimi të tij, duke iu referuar taksës, pyet se interesat e kujt po mbrojnë politikanët kur thonë se nuk hiqet taksa.

“Nuk është vështirë për të konstatuar se edhe në rastet politike të ditëve të fundit e sidomos në atë që ka të bëjë me taksën 100% ndaj mallrave serbe, ata janë duke i mbrojtur interesat kryekreje personale e aspak shtetërore e kombëtare”, ka thënë Krasniqi, transmeton Koha.net.

Krasniqi kritikon edhe presidentin e vendit, Hashim Thaçin, i cili dje tha se “teket e një lideri nuk guxojnë të lëndojnë interesin tonë shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së”, duke iu referuar Haradinajt.

“Diçka të tillë, sikur të thoshin nostalgjikët e Beogradit, që nuk mungojnë në Kosovë, të cilët tani janë të heshtur, por që nxjerrin kokën kohë pas kohe, mbase edhe do të kuptoheshin disi! Por kur ketë e thotë njeriu i parë i vendit dhe zyrtarët e lartë të një partie politike që pretendojnë në të ardhmen të qeverisin me vendin, nuk është aspak lehtë të kuptohen. Nuk kuptohen për faktin se shqiptarët që nga koha e konsolidimit si komb (1878-81) e këndej, askush e as historia si mësuese e jetës nuk na tregon e as mund të konfirmoj se ne, shqiptarët, kemi pasur mundësi që t’i lëndojmë interesat e armiqve, se jo më ato të miqve”, deklaron kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi.

Sipas tij, sa më shumë që të nënshtrohen të parët tanë, si presidenti Thaçi e zyrtarë të LDK-së, aq më shumë do të trimërohet Serbia që nuk u distancuan as edhe një herë nga politika e gjenocidit serb.

“Taksa që Kosova e vendosi ndaj Serbisë ka ardhur edhe pas gjashte-shtatë viteve të bisedimeve të Brukselit në mes Kosovës e Serbisë, ku Serbia as edhe një herë nuk ka treguar asnjë gatishmëri për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, përkundrazi, politikat e saja agresive nuk janë ndalur as një herë të vetme, madje veç sa janë acaruar. Të gjithë duhet ta dinë se taksa është masa më e vogël politike që ka mundur dhe që e ka marrë Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë se Vuçiqit”, ka shkruar tutje Krasniqi.

Krasniqi thotë se ndoshta, “arroganca” e treguar ndaj mikut, një ditë edhe ka mundësi të kuptohet e mirëkuptohet, por nënshtrimi për interesa a frikë personale, për cilindo “gabim” të djeshëm, nuk mund ta justifikon përuljen karshi armikut shekullor.

“Përulja e ka çmimin e lartë! Askush më mirë se sa ne shqiptarët nuk e di ketë gjë. Në një situatë të tillë, për Kryeministrin e Kosovës, çdo variant i shkuarjes në zgjedhje është më i mirë, se sa heqja eventuale e taksës ndaj Serbisë. Kursi i ri duhet vazhduar”, tha Krasniqi.

Koha.net ka mësuar nga burime brenda institucioneve qeverisëse se të martën e kësaj jave pritet të zhvillohet një takim mes kryeparlamentarit Kadri Veseli, kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett. Në këtë takim, sipas burimit, do të bisedohet për heqjen e taksës, eventualisht pezullimit të saj.

Qeveria e Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar, ngriti taksën ndaj mallrave serbe dhe të atyre të Bosnjës në 100 për qind. Kjo masë erdhi si reagim ndaj politikës bllokuese të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.