Arbëri

KTV-ja përcolli grevën e arsimtarëve në Istog, SBASHK-u do të padisë këdo që bën presion

Është dita e pestë prej kur në bankat e gjimnazit “Haxhi Zeka” në Istog nuk janë ulur nxënësit, si pasojë e grevës që po zhvillohet ne të gjitha institucionet e arsimit me kërkesë të SBASHK-ut për rritje të koeficientit për paga.

Prej orës 9 të mëngjesit, të vetmen gjë që kanë bërë mësimdhënësit, ishte qëndrimi në sallë.

Të palëkundur në kërkesat e tyre, mësimdhënësit e gjimnazit “Haxhi Zeka” në Istog, të premten kanë vazhduar grevën e përgjithshme.

Thonë se greva do të vazhdojë për aq kohë sa nevojitet për ngritje të pagës për ta.

Ndonëse e pranojnë se nga kjo grevë më së shumti pësojnë nxënësit, premtojnë kompensim të mësimit.

Madje, mësimdhënësit kanë mesazh edhe për qeverinë e Kosovës.

Mbështetje për grevën, mësimdhënësit kanë marrë edhe nga Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, së bashku me kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, Nevruz Kaptelli kanë vizituar grevistët në shkollën fillore “Dardania”.

Kaptelli tha se ka ardhur në Kosovë që të vizitojë kolegët e tij kosovarë për të përkrahur kërkesat e tyre të cilat, sipas tij, janë shumë të arsyeshme.

Ndërsa, kryetari i SBASHK-ut, tha se do të padisë secilin organ dhe institucion që synon të bëjë presion mbi grevistët.