Arbëri

Publikohet Pakti për Universitetin, Shahini kërkon që energjia nga protesta të përdoret për reformë

Tiranë, 18 janar - “Ne duam ta shfrytëzojmë energjinë e re që ka dalë nga protesta e studentëve për të shtyrë përpara reformën në arsimin e lartë”.

Kështu deklaroi sot ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini gjatë prezantimit të Paktit për Universitetin, një takim i organizuar me ministrat e përfshirë në grupin e punës, rektorë, dekanë, pedagogë dhe studentë.

Drafti, tha Shahini, synon të adresojë nevojat e sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri.

Duke folur mbi mënyrën si është ndërtuar drafti, Shahini tha se “nën udhëheqjen e zv/Kryeministrit Erion Braçe, të gjithë ministrat si dhe deputetët e PS-së zhvilluan gjatë muajit dhjetor një bashkëbisedim me universitetet për të zbërthyer problematikat dhe për të identifikuar zgjidhjet më të mira për adresimin e problematikave.

“”Procesi ka zgjatur 6 javë dhe sot kemi një draft fillestar. Ne kemi nevojë për vërejtjet dhe sugjerimet tuja, por ky takim është pikënisje që ky dialog të niset mbarë”, tha Shahini.