Arbëri

Bizneseve u ka dal një problem me vendimin e Qeverisë për vendosjen e flamujve në produkte

Shitësit e produkteve ushqimore kanë afat deri në fund të janarit që të vendosin flamujt e vendeve prej nga produkti e ka origjinën.

Bizneset që nuk e respektojnë udhëzimin administrativ do të gjobiten nga 1 mijë deri në 20 mijë euro, raporton KTV.

Kryeinspektori i Inspektoratit në Ministri të Tregtisë, Lulzim Syla, ka treguar se kontrollet e bëra të enjten kanë qenë të zakonshme.

Andaj, kanë paralajmëruar edhe inspektime të tjera.

Megjithëkëtë, disa mos-sqarime në udhëzim kanë shkaktuar probleme për shitësit.

Në një biznes, drejtori i Burimeve Njerëzore, Sokol Ismaili, ka treguar se disa produkte kanë numrin e barkodit të shtetit të Belgjikës, derisa vendi i prodhimit është Serbia.

Kohavision ka kërkuar për këtë një përgjigje nga Dogana e Kosovës, e cila ka thënë se i takon Inspektoratit të Tregut që ta përcaktojë vendin e origjinës së mallrave.

Megjithëkëtë, në bazë të rregullave ndërkombëtare të origjinës, pjesa më e madhe e produkteve e marrin vendin e origjinës nga vendi i prodhimit.

Nga ana tjetër, qytetarët kanë mirëpritur një veprim të tillë.

“Unë nuk e kam parë më herët një praktikë të tillë, unë jam nga Gjermania dhe bizneset atje nuk i vendosin flamujt pranë çmimeve. Mirëpo, po më pëlqen”, ka thënë një qytetar.

Qëllimi i udhëzimit është vetëdijesimi i qytetarëve për origjinën e produkteve që blejnë.