Arbëri

Gjobitja e shtetit ndaj “Bechtel Enka-s” për vonesë njëditëshe është trefish më e ultë se anasjelltas

40 mijë euro në ditë është paraparë të gjobitet Kompania ‘Bechtel Enka’ për çdo ditë që vonohet në finalizimi i autostradës “Arbën Xhaferi”.

Por, në bazë të klauzolës 8.7 të kontratës, të siguruar nga ‘Kohavisioni’ thuhet se vlera e gjobës nuk mund ta kalojë shumën e 10 përqindëshit të kontratës.

Meqenëse, ‘Bechtel Enka’ nuk i ka përfunduar punimet më 31 dhjetor 2018, shuma e deritashme e mundësisë së gjobitjes, është rreth 600 mijë euro, raporton KTV.

Në Institutin Demokratik të Kosovës, Diana Metushi -Krasniqi, ka thënë se shuma mund të tërhiqet në mënyrë automatike.

Por, shuma që shteti i Kosovës duhet të paguajë për vonesat në pagesa, është trefish më e madhe - 133 mijë në ditë apo 4 milionë euro në muaj.

Si përfundim, kjo kishte arritur shumën e 53 milionë eurove.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në emisionin Puls të KTV-së, ka thënë se do të zbatohet çkado që është e përcaktuar në kontratë, por duke mos dhënë më tepër detaje.

Megjithëkëtë, kontrata përmban klauzola shtesë, të cilat arsyetojnë vonesat e kompanisë.

Metushi- Krasniqi ka treguar se këtu përfshihen kushtet e rënda të punës nga dukuritë natyrore.

Qytetarët e përkrahin idenë që kompania të dënohet për vonesat.

‘Kohavisioni’ ka provuar të marrë përgjigje edhe nga kompania ‘Bechtel Enka’, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Kontrata e parë për autostradën ka qenë 42 muaj, por më pas i ishte shtuar edhe një aneks- kontratë për shtyrjen e kontratës deri më 31 dhjetor 2018.