Eksporti i Shqipërisë mbulon importin 48,4%

Eksporti i Shqipërisë mbulon importin 48,4%

17 janar 2019 16:02

Deficiti tregtar i Shqipërisë u ngushtua gjatë vitit 2018. Sipas Institutit të Statistikave, vitin e kaluar deficiti në tregtinë e mallrave u ulë në 331 miliardë lekë, me një rënie prej 6,5% krahasuar me vitin 2017.

INSTAT bën të ditur se, viti 2018 shënoi gjithashtu rezultatin më të mirë në një tregues domethënës të tregtisë së jashtme, mbulimin e importeve nga eksportet shqiptare.

Ky tregues u rrit në 48,4%, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në ekonominë shqiptare, të paktën pas vitit 1990.

Ulja e deficitit tregtar erdhi kryesisht falë një tjetër viti pozitiv për eksportet, që u rritën me afro 14%. Ekonomia shqiptare eksportoi mallra në vlerën e 310 miliardë lekëve ose rreth 2.5 miliardë eurove.

Ndërsa dominimi i mallrave kapitale në importe tregon se ecuria e investimeve në ekonominë shqiptare ka qenë e lartë edhe për vitin e kaluar.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme