Arbëri

Supremja vjet kreu 1.271 lëndë, i kanë mbetur edhe 100

Prishtinë, 17 janar – Gjykata Supreme, përmes një komunikate për media bëri të ditur se sot mbajti mbledhjen e kolegjiumit të saj. Nën udhëheqjen e kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Peci, është mbajtur kolegjiumi i parë për vitin 2019, me gjyqtarë të gjykatës, në të cilin është prezantuar Raporti vjetor i punës për vitin 2018 dhe është caktuar orari vjetor për vitin 2019-të.

Kryetari i kësaj gjykate, Enver Peci ka prezantuar para gjyqtarëve statistikat lidhur me lëndët e përfunduara, duke sqaruar njëkohësisht se krahasuar me vitin paraprak, gjatë vitit 2018 ka pasur një rritje të lehtë të ardhjes së lëndëve në gjykatë. “Po ashtu, ka pasur një ngritje të efikasitetit, pasi gjatë vitit 2018 janë kryer 1.271 lëndë, ndërkaq janë trashëguar për vitin 2019 vetëm 100 sosh”.

Në këtë takim, përveç caktimit të orarit vjetor të punës, gjyqtarët kanë ngritur një varg shqetësimesh sa i përket ardhjes së lëndëve në Gjykatën Supreme nga instancat më të ulëta gjyqësore. Ka pasur vërejtje në renditjen kronologjike të lëndës, në moskompletimin e lëndës, mosrespektimin e dygjuhësisë etj., për të cilat shqetësime, kreu i Supremes u zotua se do t'u drejtohet kryetarëve të gjykatave me qarkore, për të shmangur këto praktika.

Gjatë ditëve në vijim, dega penale dhe ajo civile e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme do të takohen ndaras për të diskutuar lidhur me kërkesat e pranuara nga kryetari për dhënie të mendimeve juridike, të cilat pritet të aprovohen në seancën e radhës.