Arbëri

ATK para 19 vjetësh arkëtoi 5 milionë euro të hyra, e vjet 400 milionë

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) sot me një ceremoni zyrtare ka shënuar 19 vjetorin e themelimit. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili mori pjesë në shpënimin e këtij përvjetori, ka kërkuar parametra të rinj në ATK në drejtim të luftimin të informalitetit, jo për ndëshkim, por për vetëdijesim dhe integrim në BE.

Ai me këtë rast tha se vizita e presidentit rus Vladimir Putin në Serbi nuk i bën përshtypje, pasi, siç u shpreh Haradinajt, Serbia po orientohet drejt BRSS-së, ndërsa Kosova është e orientuar drejt proceseve euro-atlantike.

Ministri i Financave Bedri Hamza, duke uruar ATK-në për përvjetorin, ka thënë se ATK ka dhënë kontribut në të hyra buxhetore dhe luftim të informalitetit.

“Vitin e parë ATK ka pasur të hyra 5 milionë euro, ndërsa në vitin 2018 ATK ka grumbulluar mbi 400 milionë euro, që është një e arritje mjaft e lartë”, theksoi ministri Hamza, shkruan KosovaPress.

Kurse, drejtori i ATK-së Sakip Imeri tha se ndër institucionet e para pas luftës kishte filluar punën ATK është duke punuar vazhdimisht për një punë efikase me prioritet luftimin e informalitetit.

Gjatë vitit 2018 është realizuar 102 për qind e të hyrave me mbi dhjetë milionë euro më shumë se plani. Ndërsa, sipas tij, për 19 vjet janë inkasuar 5.8 miliardë euro.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka theksoi se ATK është një storie suksesi në këto 19 vjet.