Arbëri

Tahiri thotë se në dialog një herë e kishte bërë Vuçiqin për spital

Foto: Koha / ilustrim

Ish-kryenegociatorja në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se gjatë një takimi që kishte pasur me palën serbe, e kishte bërë për spital, presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ajo ka thënë se gjatë një takimi ka pasur “nxehje të gjakrave” mes dy palëve.

“Gjatë një takimi ai më tha se mund ta nisë ushtrinë drejt Kosovës e unë i thash se të paska marrë malli për NATO-n. E përsëriti sërish se mund ta nisë ushtrinë e i thash prapë ‘shumë të paska marrë malli për NATO-n’. Kërkoi ndërprerje të bisedimeve, dhe nuk vazhdoi për një orë, dy orë e tre orë. Dikur shkova te ekipi i Bashkimit Evropian. Pyeta se çka ndodhi e më thanë se s’po dinë, por nisën të buzëqeshin. Thanë se Vuçiqi është në spital sepse i ishte ngritur tensioni”, ka deklaruar Tahiri në Interaktiv të KTV-së.

Tahiri po ashtu ka deklaruar se “në fillim të dialogut i kishte bërë me dije BE-së që nëse hapet tema e kufijve dhe territoreve, përfundon dialogu”.

“Këto tema janë vijë e kuqe. Mos bëj gabime se mund të nxitësh luftë dhe ia pata përmend Irlandën. I thash unë nuk bëhem pjesë e këtyre”, ka treguar ajo se i kishte thënë palës evropiane në fillim të dialogut.