Partitë qeverisëse nuk e mirëpresin idenë e LDK-së Foto: Koha / ilustrim

Partitë qeverisëse nuk e mirëpresin idenë e LDK-së

16 January 2019 20:50

Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkon një marrëveshje politike, për rikonfigurimin e tërësishëm të qeverisë dhe të strukturës së dialogut me Serbinë, kanë deklaruar zyrtarët e kësaj partie, e cila është subjekti më i madh opozitar në Kuvendin e Kosovës.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se ky subjekt politik nuk do t’ia falë askujt legjitimitetin politik, të cilin e ka në Kuvendin e Kosovës dhe që e bartë me qëndrimin e saj opozitar.

Sipas tij, përderisa , zgjedhjet e parakohshme, të cilat siç ka thënë ai, janë parapëlqyer nga LDK-ja, është vështirë të ndodhin në fazën e tanishme, për shkak të bashkëngjitjes së Partisë Socialdemokrate në procesin e dialogut, atëherë nevojitet një marrëveshje politike.

Nevojën për një “rikonfigurim total të qeverisjes ose të institucioneve të tanishme të vendit”, fillimisht e ka theksuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë për medie, ditën e hënë. Ai e ka potencuar këtë nevojë, në mënyrë që të sigurohet shumica e domosdoshme ose e përfaqësimit të domosdoshëm, i cili do të mundësonte më pastaj ratifikimin e marrëveshjeve eventuale në dialogun e Brukselit, por edhe “rolin që i takon secilit subjekt politik mbi bazën e fuqisë politike”.

Në anën tjetër, Memli Krasniqi, shef i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, që është partia më e madhe brenda koalicionit qeverisës të udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës e ka legjitimitetin e plotë në mandatin e saj që të zbatojë programin qeverisës, sipas marrëveshjes së koalicionit.

Artikullin e plotë lexoni në Radio Evropa e Lirë

Komentet

Shto koment

Të ngjashme