Arbëri

Caktohet seanca gjyqësore ndaj Ukë Rugovës

Foto: Drton Paçarada

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar seancë për ish-deputetin, Ukë Rugova, lidhur me rastin për vizat Schengen, rast që ka shkuar qe më shumë se një vit pa u mbajtur asnjë seancë gjyqësore.

Lajmin e ka konfirmuar për Koha.net, Mirlinda Gashi, zëdhënëse në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Sot e kam konsultuar gjyqtarin e rastit i cili e ka konfirmuar që seanca do të mbahet me datën 29 janar nga ora 13:15”, ka thënë Gashi.

Ukë Rugova akuzohet se ishte pjesë e një grupi që qëllim kishte përfitimin material duke furnizuar individë me viza Schengen të Bashkimit Evropian nga Ambasada e Italisë në Prishtinë. Në aktakuzë theksohet se mbi 550 viza ishin marrë nga kjo ambasadë në lidhje me aktivitetet e grupit. Bashkë me djalin e ish-presidentit Ibrahim Rugova janë akuzuar edhe 20 persona të tjerë.

Seanca e fundit për këtë rast ishte mbajtur në nëntor të vitit 2017, nën udhëheqjen e gjyqtarëve të EULEX-it.