Arbëri

Diskutohen rekomandimet dhe komentet mbi Projektligjin për administratën tatimore dhe procedura

Prishtinë, 16 janar - Shoqata e Kontabilistëve dhe Auditorëve të Certifikuar të Kosovës (ShKÇAK) në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë organizuan tryezë diskutimi me biznese dhe profesionistët e kontabilitetit për të diskutuar komentet dhe rekomandimet mbi Projektligjin për administratën tatimore dhe procedurat, i cili parasheh ndryshime dhe plotësime substanciale në krahasim me ligjin paraprak.

Udhëheqësi i Departamentit të Kontrollit të Cilësisë në ShKÇAK, Arber Hoti, njoftoi të pranishmit mbi ndryshimet të cilat parashihen në këtë projektligj në lidhje me deklaratat tatimore, vetë-vlerësimin, pagesat, interesin, kreditimet, rimbursimet, etj. Ai prezantoi disa nga rekomandimet e bëra nga ShKÇAK të cilat përfshijnë lehtësimin e veprimtarisë së bizneseve si dhe qartësimin e neneve të caktuara në legjislacion tatimor.

Kryesuesja e Komitetit Tatimor të Odës Amerikane, Gresë Rexhepi, përmendi mes të tjerash themelimin e Bordit të Ankesave, i cili do të lehtësojë veprimtarinë e bizneseve, meqë ankesat e tyre tashmë do të trajtohen brenda afatit kohor prej 30 ditëve. Ajo tha se transparenca e këtij organi do të ishte mjaft e lartë edhe përmes publikimit të vendimeve të Bordit në këtë drejtim. Ajo shtoi se plotësimet dhe ndryshimet e parapara mbi projektligjin për administratën tatimore dhe procedura paraqesin një hap të rëndësishëm në legjislacionin tatimor, megjithatë dispozita të caktuara kërkojnë qartësim të mëtutjeshëm. Ndërsa Kryesuesi i Komitetit Tatimor në ShKÇAK, Fahri Breznica, tha se rëndësi e madhe duhet t'iu kushtohet të drejtave të tatimpaguesve, qasja e Administratës Tatimore të Kosovës ndaj tyre, si dhe dokumentimi gjetjeve të raporteve të kontrollit.