Arbëri

Meta për dekretimin e Ramës si ministër i Jashtëm: Përgjigje të qartë, pa dashuri, brenda afateve kushtetuese

Presidenti Ilir Meta përsëriti këtë të martë se në lidhje me propozimin e kryeministrit Edi Rama për t'u vendosur në krye të Ministrisë së Europës dhe Punët e Jashtme, do t'i duhet kohë e mjaftueshme, brenda afateve kushtetuese, për t'u shprehur me dekret.

Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi këtë të martë për gazetarët se në lidhje me propozimin e kryeministrit Edi Rama për t'u dekretuar në postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, përgjigja e tij do të vijë në format të qartë, të menduar dhe brenda afateve kushtetuese.

Këtu jemi për të promovuar edhe një herë solidaritetin për dhurimin e gjakut. Për këtë çështje besoj se e kam dhënë një përgjigje dje. Dhe do të jap një përgjigje të qartë, të përgjegjshme, shteruese, me qetësi, por pa dashuri, brenda afateve kushtetuese.

Ilir Meta komentoi për herë të parë propozimin e kryeministrit Edi Rama mbrëmjen e djeshme. I ftuar në një emision televiziv, Meta tha se ka mbërritur në Presidencë propozimi me emrin e Ramës si ministër, mirëpo ai shtoi se do t'i duhet kohë e mjaftueshme për t'u shprehur me dekret. Vendimi i kryeministrit Edi Rama u komunikua në mbledhjen e kryesisë socialiste, të zhvilluar po ditën e hënë.

Përplasja presidencë-qeveri nisi tre ditë më parë, pasi kreu i shtetit Ilir Meta refuzoi të dekretojë propozimin për emërimin e Gent Cakajt ministër të Jashtëm në vend të Ditmir Bushatit. Meta arsyetoi se Cakaj është figurë e papërshtatshme për pozicionin e kryediplomatit për shkak të qëndrimeve të tij për kufijtë e Kosovës si dhe mbajtjen e detyrës së zv/ministrit të Jashtëm duke mos u pajisur me certifikatë sigurie. Pretendime, të cilat sipas kryeministrit Edi Rama, ishin të pabaza dhe provuese të shkeljes së Kushtetutës nga ana e presidentit Meta.