Arbëri

Në vend të njohjes nga Serbia, Haradinaj tash kërkon garanci për njohje

Për dallim nga qëndrimet e ashpra se taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe, nuk do të hiqet pa njohjen e Kosovës nga Serbia, tani kryeministri Haradniaj ka shtuar fjalën garanci, duke shfaqur zbutje të këtij qëndrimi, raporton KTV.

Kryeministri ka pranuar se SHBA-ja, nëpërmjet ambasadorit amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, ka kërkuar nga Qeveria që ta tërheqë taksën .

Tërheqja për një afat të caktuar e taksës, sipas Haradinajt, do të mund të ndodhte, nëse do të kishte garanci ndërkombëtare për marrëveshje dhe njohje reciproke me Serbinë.

Por, Haradinaj ka thënë se taksa do të mbetet në fuqi deri më vitin 2022.

Dokumenti me 8 kërkesa të administratës amerikane, për heqje të taksës, i publikuar në media, sipas Haradinajt, nuk është zyrtar. Ai nuk i ka komentuar detajet e kërkesës për tërheqje të masës 100 për qind.

Haradinaj dialogun e tre vjetëve të fundit në Bruksel e ka quajtur si cirk, dhe ka thënë se nuk ia vlen që të hiqet taksa për vazhdimin e një dialogu të tillë.

Kryeministri ka thënë se përkrahja amerikane për Ushtrinë nuk do të ndryshojë asnjëherë.

Haradinaj ka pranuar se për shkak të situatës së krijuar rreth taksës, i është vështirësuar marrja e vizës amerikane dhe nuk do të shkojë për Lutjet e Mëngjesit në Amerikë.