Arbëri

Banorët e Orllanit protestuan para MMPH-së, ministri i thërret në takim për t’u sqaruar rreth çështjes së ujësjellësit

Descriptive Text

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka pritur në takim banorët e fshatit Orllan të Podujevës, cilët sot kanë protestuar para MMPH-së për shkak të vonesave në realizimin e projektit “Ndërtimi i sistemit të ujësjellësit në Orllan – Podujevë”.

Matoshi gjatë takimit u ka sqaruar banorëve të Orllanit se shkurtimet buxhetore në realizimin e këtij projekti nuk janë bërë gjatë kohës sa ai ka udhëhequr Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Unë kam kërkuar sqarime se kush i ka hequr mjetet prej buxhetit për këtë projekt dhe si duhet ti kthejmë ato. Këto informata i kam kërkuar më datë 11 dhjetor 2018. Pastaj kam hy dhe e kam hulumtuar se kur ka ndodhur kjo punë. Largimi i mjeteve për projektin tuaj ka ndodhur më 25 qershor 2018 me dokument të protokolluar. Do të thotë në këtë datë unë nuk e kam udhëhequr ministrinë”, deklaroi ministri.

I pari i MMPH-së, Matoshi tha se në planifikimin e qarkores së parë të buxhetit të MMPH-së gjatë vitit 2018 ka pasur shkurtim të projektit të Orllanit.

“Buxheti i aprovuar në vitin 2018 ka pas të paraparë që në vitin 2020 të ndahen 740 mijë euro për këtë projekt. I kam kërkuar drejtorit tonë të buxhetit pse ka ndodhur kjo dhe më ka informuar që gjatë planifikimit të qarkores së parë të buxhetit të MMPH-së, ka pas prioritetet tjera edhe prej ish ministres dhe të tjerëve ku dhe ka pas shkurtime në disa projekte, ndër to edhe në projektin e Orllanit”, tha Matoshi.

Ai tha se vonesat në realizimit e projektit gjatë vitit 2018 kanë ndodhur edhe për shkak të dorëzimit të vonshëm të projektit nga ana e komunës.

“Projekti ka ardhur shumë vonë, pra më 16 tetor 2018 është dorëzuar në ministri. Më 17 tetor ne e kemi iniciuar kërkesën për të shpallur tenderin dhe kemi kërkuar prej prokurimit që të filloj tenderi një ditë pasi ka ardhur projekti. Nuk është aprovuar në KRPP për shkak të kësaj kornize buxhetore e cila është shkurtuar”, tregoi Matoshi.

Ministri Matoshi, para banorëve tha se projekti për ndërtimin e ujësjellësit në Orllan është i rëndësishëm për të gjithë, duke ju premtuar kështu që gjatë vitit 2019, ky projekt do të filloj së realizuari.

Ai hoqi dilemat të banorët e Orllanit, se MMPH-ja ka për qëllim shpërnguljen e banorëve të kësaj ane, duke ju thënë se në të ardhmen planifikohet të bëhet edhe plani hapësinorë për këtë vend.

Ndërsa banorët e fshatit Orllan, të kryesuar nga kryetari i organizatës “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, Rexhep Zeka, foli për rëndësinë e ndërtimit të ujësjellësit për banorët e kësaj ane. Së bashku me banorët e tjerë, Zeka shfaqi brengat për mos fillimin e këtij projekti.