Arbëri

“Al Jazeera Balkans”: Shkaku i taksës 100%, Haradinajt i është refuzuar viza amerikane

Foto: Koha

Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, i është refuzuar viza amerikane, kështu që nuk do të mund të marrë pjesë në konferencën për Ballkanin në fillim të muajit shkurt, ka mësuar “Al Jazeera Balkans” nga burime brenda Departamentit të Shtetit.

Siç ka raportuar për mediumin në fjalë gazetari i tyre nga Washingtoni, më herët Haradinaj kishte pranuar ftesë për pjesëmarrje në punimet e konferencës, e cila mbahet më 6 shkurt.

Por, burimi i AJB nga Departamenti i Shtetit ka konfirmuar se Haradinaj nuk ka marrë vizë për shkak të ngritjes së taksës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja, transmeton Koha.net.

Haradinaj është dashur të marrë pjesë në këtë konferencë, ndërsa mos-shkuarja e tij i është konfirmuar mediumit edhe nga dikush nga organizatorët.

Koha.net ka provuar të kontaktojë edhe kabinetin e Kryeministrit Haradinaj, por nuk kanë qenë të qasshëm. Koha.net merr vesh që për të njëjtën arsye, në listën e refuzimeve për vizë amerikane janë edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli. 

Portali ka pyetur në kabinetin e Veselit. Zyrtarët kanë mohuar se Veselit i është refuzuar viza amerikane. Në anën tjetër, zyra për informim e presidentit, Hashim Thaçi, ka thënë se presidenti ka vizë amerikane afatgjate, duke mohuar raportimin.