Haradinaj: Kosova ka potencial për investime të huaja në vend

Haradinaj: Kosova ka potencial për investime të huaja në vend

14 January 2019 14:31

Kosova në pritje të avancimeve të 11 kompanive me kapital 1.8 miliard euro investime të huaja

“Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të qenë partner i ri ekonomik në tregun botëror dhe institucionet e vendit janë të përkushtuara në zbatimin e këtyre politikave në të mirë të ekonomisë së vendit”. Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti sot në takim anëtarin e Bordit të Forumit të Sigurisë në Halifax dhe drejtor ekzekutiv i Çalik Holding, Ahmet Taçyildiz.

Sipas njoftimit për media, ai me këtë rast e informoi z. Taçyildiz për proceset që po kalon Kosova, me theks të veçantë për progresin e po ashtu edhe angazhimin e Qeverisë në fushën e sigurisë dhe ekonomisë së vendit.

“Kosova edhe pse si një shtet i ri, ka kontribuar shumë që të jetë një faktor i paqes në Ballkan dhe Evropë dhe, nuk ka dyshim, se kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Kjo është edhe një garancë karshi investimeve të huaja dhe orientimit tonë për zhvillim ekonomik të vendit”, u shpreh kryeministri Haradinaj.

Ai po ashtu ka ndarë me mysafirin të gjitha të arriturat e vendit rreth përmbylljes së infrastrukturës ligjore sa i përket të bërit biznes.

“Me ligjin e ri për investime strategjike, ne kemi ndërmarrë veprime të nevojshme sa i përket garantimit dhe stimulimit të investitorëve të huaj. Aktualisht po presim që të avancojmë me interesimin që kanë bërë 11 kompani me kapital prej 1.8 miliard eurosh investime dhe jemi të përkushtuar që të ofrojmë shërbimet dhe lehtësirat institucionale edhe për investitorë të tjerë”, tha kryeministri Haradinaj.

Në këtë takim u përmend edhe potenciali që ka Kosova për tërheqjen e investimeve të huaja, veçmas në fushën e energjisë dhe minierave.

Ndër tjerash, ai e përgëzoi z. Taçyildiz për punën që e bën Forumi Ndërkombëtar për Siguri në Halifax, forum ky i cili jep mundësi që vendimmarrësit të gjejnë zgjidhje të përbashkëta për çështje të vështira, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me sigurinë globale.

Nga ana e tij, Ahmet Taçyildiz, e falënderoi kryeministri Haradinaj për pritjen e sotme dhe e përgëzoi për angazhimin e Qeverisë që t’i çojë tutje proceset e vendit, përfshirë edhe ato që lidhen me sigurinë si dhe gatishmërinë për të mbështetur investitorët e huaj.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme