Arbëri

Rriten pagat në ASHNA, pastruesi në këtë institucion paguhet gati sa një kirurg në QKUK

Arbër Morinës, iu deshën rreth 24 vjet për ta arritur gradën e kirurgut të përgjithshëm.

Shumë mund e sakrifica thotë t’i ketë bërë për të zënë një vend pune në nivelin terciar të shëndetësisë në QKUK, ku, me gjithë mëditje, rroga e tij arrin pak mbi 600 euro.

Por, të punësuarit e një institucioni tjetër shtetëror, nuk duhet të kryejnë kaq shumë mund e shkollë, për të marrë një pagë që nis nga 520 deri në 2,280 euro.

Bëhet fjalë për të punësuarit në Agjencinë e Shërbimit të Navigimit Ajror të cilët përfituan rritje të pagave në këtë fundvit, falë një rregulloreje të brendshme që është miratuar në ditën e fundit të vitit që lamë pas.

Aty specifikohen kodet e pagave për 125 tituj me 22 grada të ndryshme hierarkike, duke nisur nga pozita më e ulët, ajo e pastruesve dhe praktikantëve që paguhen nga 520 euro, për të vazhduar tutje ma atë të shoferit që merr pagë prej 570 eurosh.

E, koeficient pas koeficienti, paga arrin në 2 mijë e 132 euro për menaxheret e zyrës së drejtorit.

150 euro më shumë marrin menaxheret e Departamentit për Cilësi, Siguri dhe Sigurim dhe ai shërbimeve të trafikut ajror dhe departamentit, paga e të cilëve është 2,888 euro.

Por, në këtë rregullore nuk specifikohen rrogat për pozitën e drejtorit dhe zëvendësdrejtorëve operativë dhe atij financiar.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se puna e ASHNA-s ka specifikat e saj të rëndësishme, por ka pranuar që nuk e di se ata kanë marrë vendim të ri të rritjes së pagave.

Ai është shprehur se për këtë arsye ka bërë ligjin e pagave, për t’i ulur pakënaqësitë brenda atyre që paguhen me paratë e shtetit, e që mendon se më të privilegjuarit do të jenë kirurgët.

Por, pikërisht për koeficientet e caktuara me ligjin e pagave kanë hyrë në grevë kirurgët.

Kirurgu Morina thotë se përcaktimi i koeficientit 5 është fyes për ta.

Grevës dhe pakënaqësive për ligjin e pagave që ende nuk është miratuar, i janë shtuar edhe mësimdhënësit.

Këta të fundit kërkojnë rritjen prej 30 përqind të koeficientit të përcaktuar me këtë ligj.

Punëtorët e ASHNA-s nuk janë të përfshirë në ligjin e pagave, për shkak të punës specifike që sipas qeverisë ata bëjnë.