Tahiri - Ramës: Nuk ishe i zoti të kundërshtoje në Serbi ndryshimin e kufijve Foto: Koha

Tahiri - Ramës: Nuk ishe i zoti të kundërshtoje në Serbi ndryshimin e kufijve

10 January 2019 17:50

Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, i është kundërpëgjigjur deklaratave të Edi Ramës kundër saj, në lidhje me vendimin e Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta për të mos dekretuar Gent Cakajn në postin e ministrit të Jashtëm.

Tahiri në Ora News, theksoi se Rama nuk ishte i zoti për të kundërshtuar gjatë vizitës në Beograd ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj që Presidenti Meta bëri një vendim kombëtar dhe vizionar sepse nuk dekretoi një kandidat që ishte hapur për ndryshimin e kufijve, që i bie që ka qenë hapur pro dëmtimit të interesave nacionale. Me këtë vendim, Presidenti Meta edhe një herë e rikonfirmoi ashtu siç është deklaruar që është në mbrojtje të shtetit të Kosovës dhe luftës tonë 100 vjeçare për të ardhur deri tek pavarësia. Kryeministri Rama është mjaft i pasur me fjalorin e tij për të bërë reagime, dhe s'di si e gjen kohën për këtë, në vend që të ulet dhe të mendojë strategjikisht për kombin shqiptar, për luftën gjeopolitike që po ndodh sot në dialogun e Brukselit. Vetë Edi Rama kur ishte në Serbi në vitin 2016, nuk ishte i zoti t'i thoshte jo ndryshimit të kufijve homologut serb dhe në këtë lojë u përfshi edhe z.Thaçi, duke importuar ide serbo-ruse. Këto nuk janë vetëm në dëm të Kosovës, por në dëm të kombit shqiptar. Sot është koha që vetë z.Rama të ulet dhe të mendojë pse nominoi këtë kandidat dhe pse largoi Ditmir Bushati, i cili mbrojti kufijtë e Kosovës. Më shumë se çështje individësh, kjo është një çështje kombëtare”, ka thënë Tahiri.

Ajo, tutje ka thënë se liderët kanë përgjegjësi.

“Unë jam një prej themeluesve të këtij shteti. Ne në 100 vjet kemi bërë luftë. Rama nuk ka qenë fare në Shqipëri për 10 vjet kur ne kemi luftuar përballë armikut. Kemi përjetuar gjithë atë gjenocid dhe prapë jemi ku jemi sepse shqiptarët e bëjnë shqiptarinë dhe tokat janë tonat. Prandaj, këmbimi i territoreve nuk mund të ndodhë sepse edhe veriu i Kosovës edhe Lugina e Preshevës janë tonat. Mos të flasim që historia jonë ka qenë deri në Nish. Nuk e di se sa i di zt.Rama këto se ndoshta është i zënë me këto këmbime”, ka përfunduar ajo.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme