Arbëri

“Sektori privat ende pa mbështetje institucionale”

Edhe ky vit po e gjen sektorin privat pa vëmendjen dhe përkrahjen e duhur institucionale. Sikur shumë vite të tjera, ende nuk ka një vlerësim të sektorit privat në Kosovë.

E mungesa e ofertave, është një nga problemet kryesore me të cilat bizneset private në vend sot përballen.

Skënder Krasniqi, kryetar i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, thotë se biznesi privat vazhdimisht po përballet me një sërë sfidash dhe një klimë jo të mirë të të bërit biznes.

Sipas tij, nuk po bëhet mjaftueshëm në stimulimin e tyre, teksa shton se si OAK nuk kanë heshtur asnjëherë së kërkuari dhe punuari për një klimë më të mirë të të bërit biznes në vend, përkundër asaj se në këtë rrugëtim thekson se nuk patën mbështetjen e duhur institucionale.

Edhe pse OAK ka adresuar problemet, sipas Krasniqit, reagimi i Qeverisë nuk ka qenë në nivel të kërkesave.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se as këtë vit, Kosova nuk ka shënuar ndonjë përmirësim të klimës së të bërit biznes.

Me qëllim të përmirësimit të situatës, ai fton institucionet që të përkushtohen në këtë drejtim, duke bërë zhvillimin e sektorit privat një nga prioritet e tyre.

“Ende nuk ka një vlerësim të rolit që ka sektori privat në këtë vend. Kur them nuk ka vlerësim, para së gjithash mendoj tek ligjet që po vijnë, që po hartohen, miratohen dhe pastaj po zbatohen dhe tek dëgjimi i brengave që ka sektori privat për me kriju një ambient më të favorshëm, kur jo sektori publik, por sektori privat është gjeneratori kryesor i punësimit. Në këtë mënyrë mendoj se duhet kthyer vëmendjen kah sektori privat, në mënyrë që 2020-a të mos na gjejë pa vëmendjen dhe vlerësimin e duhur nga vendimmarrësit, nga politika”, është shprehur Rukiqi.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, vlerëson se ky vit po e gjen në gjendje të mirë sektorin privat në Kosovë.

Ai për KosovaPress ka treguar se janë të përkushtuar në përmirësimin e klimës së të bërit biznes për prodhuesit vendor.

“Viti 2019 do të jetë një vit, i cili MTI-në do ta gjejë të fokusuar në përkrahjen e prodhimit vendor në Kosovë”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, ishte Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, e cila ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me nivelin e dobët të dialogut institucional dhe formal ndërmjet sektorit publik dhe privat, ndërlidhjen e politikës me raportet ekonomike dhe tregtare, si dhe ndërhyrjen e shpeshtë të institucioneve dhe zyrtarëve qeveritarë në sektorin privat.