Arbëri

Haziri: LDK nuk duhet të marrë pjesë në ‘garën e pështymës’

Descriptive Text

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur rreth dialogut të dërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mes të Kosovës dhe Serbisë, e në veçanti për marrëveshjen finale të paqes në mes dy vendeve, e cila do të jetë ligjërisht obligative.

Në një shkrim autorial dërguar mediave, Haziri thotë se kohëve të fundit janë paraqitur ftesa me gjuhë të papranueshme nga kryetari e nënkryetari i PDK-së dhe njëri nga zëvendëskryeministrat e Kosovës, për pjesëmarrjen e LDK në dialog.

“Me të njëjtën monedhë u kundërpërgjigjën edhe nga partia ime. Unë e kuptoj që ftesat e tyre i përngjajnë ftesës për ‘garën e pështymës’, por nuk po e kuptoj vrapin e tanëve për të marrë pjesë në të. Dihet botërisht fakti se tradicionalisht dialogu ka qenë ‘arma’ e vetme e LDK. Në paqe dhe në luftë. LDK ka ditur dhe di edhe sot ta përdor dialogun për interesa të Republikës deri në marrëveshje paqësore, por jo për kompromise të panjohura e pa legjitimitet. Fundi-fundit, legjitimiteti nuk falet, por fitohet”, ka thënë Haziri, raporton Koha.net.

Tutje, ai ka folur edhe temën që konsiderohet më e nxehta në këtë kontekst, e që është korrigjimi i kufijve, ide të cilën Haziri e quan të “ashtuquajtur”, “siç po e paraqet presidenti i Republikës në mënyrë permanente”.

Haziri thotë se zgjidhja e problemit me Serbinë është që kufiri me Serbinë të jetë Ristovci ndërsa ai me Maqedoninë, Çukarka.

“Qysh në tetorin e vitit 2011 unë e kam lansuar dhe proklamuar këtë kauzë, e cila është mbipolitike. Pra, nga bashkimi i Kosovës Lindore me Kosovën nuk cenohet sovraniteti, por mund të përkthehet si sforcim dhe zgjerim. Realiteti ynë është i hidhur edhe sot e kësaj dite pasi që ne si Kosovë e kemi barrën historike të zgjidhjes së çështjes së Kosovës Lindore. Zgjidhja më e mirë do të ishte që kufiri i Kosovës me Serbinë të jetë në Ristovc, ndërkaq me Maqedoninë në Çukarkë”, ka thënë Haziri.

Nënkryetari i LDK-së thotë se çfarëdo marrëveshje me Serbinë që nuk e rikthen këtë pjesë të natyrshme të Kosovës brenda kufijve të saj, nuk është zgjidhje as e qëndrueshme, as e përhershme. “Pra, nuk mund të quhet finale, por marrëveshje gjysmëfinale”.

“Në këtë kohë kur edhe presidenti Trump dhe të gjithë aleatët kryesorë ndërkombëtarë po kërkojnë nga lidershipi ynë që çështjen e Kosovës ta zgjidhim njëherë e përgjithmonë me Serbinë, ne duhet të jemi shumë më vigjilentë e syhapur, shumë më vizionar e kombëtar sesa ‘patriotë’ të çastit. Nuk ka asnjë argument të vetëm politik e as socio-ekonomik që do të vërtetonte se zgjidhja përfundimtare e çështjes së Kosovës me Serbinë është e qëndrueshme pa rikthimin e Kosovës Lindore në Republikën e Kosovës. Kosova dhe sovraniteti i saj asnjëherë nuk duhet vënë në pikëpyetje. Por, për mua ka qenë dhe mbetet amanet që të kujdesemi për Kosovën Lindore”, përfundoi nënkryetari i LDK-së, dhe njëherësh kryetar i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.