VV: Anulohet marrëveshja joligjore dhe abuzuese e Komunës së Fushë-Kosovës Foto: Koha

VV: Anulohet marrëveshja joligjore dhe abuzuese e Komunës së Fushë-Kosovës

08 janar 2019 16:18

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Fushë-Kosovë, ka thënë se është anuluar marrëveshja për Përkujdesin Social dhe Shëndetësor me Organizatën “CARITAS”, të cilën kjo parti e quan “joligjore dhe abuzuese”.

Në komunikatën për media, VV thotë se më 14 nëntor të vitit të kaluar, Asambleja komunale e Fushë-Kosovës ka miratuar Marrëveshjen për Përkujdesin Social dhe Shëndetësor me Organizatën “CARITAS”, përkundër vërejtjes së asamblistëve të VV-së se kjo marrëveshje është joligjore, jotransparente dhe e dëmshme për buxhetin komunal.

Marrëveshja, sipas VV-së, parashihte financimin e një programi prej 375,000 eurosh, në bashkëpunim me “Caritasin”, prej të cilave kjo e fundit merr pjesë vetëm me 20,000 euro, ose diku rreth 5% e buxhetit për projekt.

“Pushteti ka injoruar vërejtjet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka mbivotuar këtë marrëveshje duke përdorur edhe votat e një pjese të minoriteteve dhe të një vote të opozitës, përkatësisht të AKR-së. Denoncimi i vazhdueshëm i kësaj Marrëveshjeje nga LVV-ja është injoruar deri më datën 06.12.2018, kur Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal nxori një interpretim ku thuhet se kjo marrëveshje nuk është në përputhje me Rregulloren MT-04-2017 për Kriteret, Standardet dhe Procedurat për Financimin e OJQ-ve. Komuna e Fushë-Kosovës ka një situatë specifike përsa i përket financimit të sektorit të arsimit dhe shëndetësisë, për shkak se numri i banorëve që jetojnë në këtë qytet është gati dyfishi i numrit të banorëve të regjistruar si banorë lokalë. Këta banorë marrin shërbimet publike të Komunës, ndërkohë që financimi i nivelit qendror të qeverisjes është i lidhur ngushtë me numrin e banorëve të regjistruar”, thotë VV në komunikatën për media.

Tutje, kjo parti opozitare në komunën e Fushë-Kosovës konsideron se ky problem nuk zgjidhet duke nënshkruar marrëveshje jotransparente dhe joligjore dhe se, sipas kësaj partie, “deri sot kjo marrëveshje është përdorur për akomodimin e familjarëve të zyrtarëve komunalë, por edhe për të shpaguar njerëz që kanë qenë të përfshirë në mobilizimin e votës për kryetarin, Burim Berisha”.

“Asnjëherë nuk i ka përmbushur nevojat e qytetarëve të Fushë-Kosovës. Një numër i madh i objekteve shëndetësore nuk janë aktivizuar edhe pse komuna nëpërmjet skemës ‘Caritas’ ka shtuar numrin e punëtorëve shëndetësorë. Po ashtu, ka pasur raste kur, për shembull, punëtorët shëndetësorë janë punësuar në objekte shëndetësore falë afërsisë me pushtetin. Kështu, vendbanime me numër të madh të banorëve nuk kanë marrë shërbime shëndetësore, e në ndonjë fshat është tejkaluar numri i personelit shëndetësor”, thotë më tej VV.

Edhe në fushën e arsimit, Vetëvendosje thotë se kjo marrëveshje pothuajse nuk ka ndikuar fare në përmirësim të kushteve për mësim.

“Shkollat e Fushë-Kosovës kanë mesatarisht 45 nxënës në një klasë, duke dëmtuar kështu kualitetin në procesin mësimor. Duke marrë parasysh se kjo skemë me ‘Caritasin’ më shumë i ka shërbyer kryetarit të komunës, një numër i të angazhuarve në procesin mësimor kanë fituar vend pune si shpërblim për përkrahjen ndaj tij sesa për shkak se i kanë plotësuar kushtet. Kjo ka bërë që Fushë-Kosova të shënojë nivelin më të ulët të suksesit në sektorin e arsimit”, deklaroi VV-ja.

Zgjidhja e kësaj situate, ashtu siç e ka thënë shumë herë LVV Fushë-Kosovë, vjen vetëm nëpërmjet analizës empirike të situatës dhe problematizimit të saj tek institucionet qendrore, regjistrimit të banorëve realë në këtë komunë, sensibilizimit të banorëve që shfrytëzojnë shërbimet publike dhe deri te kushtëzimi i shfrytëzimit të shërbimeve publike me regjistrimin si banorë.

“Asnjërën nga këto nuk e ka bërë Komuna e Fushë-Kosovës me Kryetarin aktual të saj. Ky abuzim nuk ka ndodhur vetëm tashti, por është aplikuar edhe në mandate më të hershme të po të njëjtit ekzekutiv të Komunës”, përfundoi VV-ja.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme