Arbëri

OAK kërkon nga Haradinaj të lirojë lëndën e parë për prodhuesit

Descriptive Text

Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon nga kryeministri Ramush Haradinaj që të lirojë lëndën e parë për prodhuesit vendor ashtu siç është e paraparë me ligj.

Arsyeja e kërkesës është ankesa e prodhuesve lidhur me lirimin nga TVSH-ja e lëndës së parë.

Çdo fillim të vitit, prodhuesit vendorë obligohen të aplikojnë në ATK për lirim nga TVSH-ja për lëndën e parë të importuar, ndërsa pas aprovimit të saj fillon edhe zbatimi në Dogana.

Vitet paraprake shqyrtimi i kërkesave është bërë për një periudhë më të shkurtë kohore, gjë që nuk i ka penguar bizneset në vazhdim të prodhimit.

OAK përkujton se këtë vit bizneset po përballen me probleme pasi që për shkak të mos shqyrtimit të këtyre kërkesave, lënda e parë ka mbetur pa kaluar në Doganë dhe si pasojë bizneset po detyrohen të paguajnë për qëndrimin e kamionëve dhe frigoriferëve në terminale dhe po krijon edhe pengesa në prodhim.

Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon që të merren masat e nevojshme për këtë problem dhe kërkon që të përkrahen prodhuesit vendorë, duke iu lejuar që të bëjnë futjen e lëndës së parë në Doganë derisa të shqyrtohen aplikacionet nga ATK-ja.

Po ashtu, OAK kërkon që kjo procedurë të hiqet ashtu që të mos obligohen bizneset të aplikojnë çdo vit.