“Trumpi mund ta vizitojë Serbinë pasi të arrihet një marrëveshje për stabilitetin rajonal”

“Trumpi mund ta vizitojë Serbinë pasi të arrihet një marrëveshje për stabilitetin rajonal”

07 January 2019 10:00

Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq në një bisedë për agjencinë serbe të lajmeve tanjug ka lënë mundësinë që presidenti amerikan Donald Trump ose sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo ta vizitojnë Serbinë pasi të “njëfarë marrëveshjeje për stabilitetin rajonal”.

Ai nuk ka treguar se për ç’marrëveshje bëhet fjalë por aludimi është i qartë për marrëveshjen ndërmjet Kosovës e Serbisë marrë para sysh letrën që presidenti Trump u dërgoi dy vendeve me porosinë se ka ardhur koha për marrëveshje ndërmjet tyre, transmeton Koha.net.

"E kam ftuar Pompeon (Mike, sekretar amerikan i Shtetit) të vijë Serbi. E kemi ftuar edhe Trumpin ta vizitojë Serbinë, por mendoj se vizita do të bëhet pasi të arrihet njëfarë marrëveshjeje për stabilitetin rajonal”, ka thënë Daçiq duke mos treguar në është fjala për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Serbisë e Kosovës.

Ai ka folur për vizitën e ardhshme të presidentit të Rusisë Vladimir Putin në Serbi të cilën e vlerëson shumë të rëndësishme .

"Vetë vizita është mesazh i mirë, sepse ka zëra të ndryshëm se Rusia s’e përkrah atë që bën dhe propozon Serbia për Kosovën”, ka thënë Daçiq për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.

Sipas Daçiqit, këta zëra janë marri.

Ai ka shtuar se në gjashtë -shtatë vitet e fundit, presidenti Vuçiq, më parë kryeministër, dhe ai vetë kanë biseduar 100 herë me ministrin e jashtëm Lavrov, me presidentin rus Putin dhe me kryeministrin Medvedev.

"Gjithmonë kemi biseduar haptas dhe ata gjithmonë kanë qenë në rrjedhë dhe i kanë ditur të gjitha”, ka thënë Daçiq, transmeton Koha.net.

“Është me rëndësi që Rusia përkrah interesin kombëtar e shtetëror të Serbisë”, ka thënë Daçiq.

Ka shtuar se si ministër i Jashtëm i Serbisë e di më së miri se cilit ministër të huaj t’i drejtohet.

"Ai është Sergej Lavrov. Do të doja që të mund t’i thirrja edhe Pompeon , edhe ministrin britanik të Punëve të Jashtme, por nuk jam i sigurt se do ta hapnin telefonin. Dhe sidomos nuk jam i sigurt se do të më ndihmonin“, citon tanjug të ketë thënë Daçiq, transmeton Koha.net.

Sipas tij është me rëndësi që një vend i madh si Rusia ta përkrahë Serbinë.

Vladimir Putin do të qëndrojë për vizitë në Beograd më 17 janar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme