Arbëri

SHBA-ja e interesuar për demarkim të kufirit Kosovë-Serbi, BE-ja s’e di se si do të duket ai

Do të duhen edhe pak ditë pas pushimeve të Vitit të Ri, që diplomacia evropiane dhe ajo amerikane të merren me Kosovën.

Por, Washingtoni është i interesuar për zgjidhje afatgjatë.

Sipas agjencisë së lajmeve Beta, administrata e Presidentit Trump po punon për arritjen e një zgjidhjeje afatgjatë, që përfshin demarkimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton KTV.

Për këtë temë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, do të flasë më 17 janar në Beograd, me presidentin rus, Vladimir Putin.

Por, problemi qëndron në faktin se Bashkimi Evropian nuk e ka idenë se si do të dukej ky demarkim i kufirit dhe si do të pranohej.

Edhe pse konsiderohet se ka një pauzë të madhe në negociata, BE-ja nuk ka hequr dorë nga dialogu dhe do ta presë javën tjetër në takim ekipin e sapoformuar të Prishtinës.

Sipas burimeve në Bruksel, Bashkimi Evropian beson se do të mund të tejkalohen pakënaqësitë e Beogradit dhe insistimi për mosvazhdim të dialogut, për shkak të krijimit të ushtrisë, hapjes së kufirit me Shqipërinë dhe vazhdimit të taksës ndaj mallrave serbe.

E, reagimin e Washingtonit mezi po e pret kryeministrja serb,e Ana Brnabiq. Ajo ka thënë në një intervistë në Beograd, se lëvizja e Prishtinës për të vënë taksë edhe për produktet e huaja që prodhohen në Serbi, si: Coca Cola, duhet të zgjojë reagim të Washingtonit.