Arbëri

Fajon rithekson: Demarkacioni, kush i patejkalueshëm për liberalizim të vizave

Descriptive Text

Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës, takoi eurodeputeten, njëherësh raportuese për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon.

Në fillim të takimit, kryetarja e Komisionit Njomza Emini, e falënderoi eurodeputeten Fajon për vizitën, dhe më pas e njoftoi atë për angazhimet e komisionit, e që kanë të bëjnë me integrimet evropiane.

Emini në vijim tha se angazhimi për liberalizimin e vizave për qytetarët është një ndër çështjet më të rëndësishme, dhe lidhur me këtë ajo kërkoi përkrahjen e Fajon.

Lidhur me këtë, eurodeputetja ritheksoi se, për liberalizimin e vizave, Kuvendi duhet të ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Ajo bëri thirrje që procesi i demarkimit të kufirit të përfundojë, sepse, sipas saj, “ky është kusht i patejkalueshëm për BE-në”.

Në këtë takim folën më pas edhe deputetët Donika – Kadaj Bujupi, Xhavit Haliti, njëherësh nënkryetar i Kuvendit, Arben Gashi, Time Kadrijaj dhe Fatmir Xhelili, të cilët nënvizuan se janë të përkushtuar për të punuar në agjendën e integrimeve evropiane, ndërkaq, lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, përfaqësuesit e opozitës thanë se janë kundër versionit të marrëveshjes së nënshkruar.

Raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, iu premtoi anëtarëve të komisionit se shqetësimet dhe rekomandimet e shfaqura gjatë takimit, do t’ua bëjë të ditura bashkëpunëtorëve të saj.