Qeveria “Megalomane” Haradinaj

Kushtrim Kadriu Kushtrim Kadriu 01 January 2019 23:00

Ramush Haradinaj u bë për herë të dytë kryeministër, por do të mbahet mend gjatë si kryeministri i parë me pagën më të lartë dhe kabinetin më të madh qeveritar ndonjëherë.

Qeveria megalomane Haradinaj, nuk kurseu buxhetin e shtetit, për t’ia rritur pagat vetes.

Me vendimin e shumë-kontestuar për rritje të pagave 100 për qind, kryeministri Haradinaj ia rriti pagën vetes në 2950 euro.

Për një vit, kryeministri merr pagë 35 mijë e 400 euro, duke u bërë kryeministri me pagën më të lartë, për dallim nga homologët e tij të rajonit, raporton KTV.

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ka në përbërje edhe 5 zëvendëskryeministra, të cilët marrin pagë secili nga 2500 euro.

Qeveria thotë se zyrtarisht i ka 79 zëvendësministra.

Për vetëm një vit, 79 zëvendësministrat, vetëm për paga, i kushtojnë buxhetit të shtetit më shumë se 1 milion e 90 mijë euro.

Edhe Zyra e kryeministrit të Kosovës ka shtuar numrin e të punësuarve.

Vetëm kryeministri ka 28 këshilltarë, 17 prej të cilëve paguhen nga buxheti i shtetit, ndërsa 11 janë këshilltarë të jashtëm politikë që nuk paguhen nga buxheti i Kosovës.

Ndërkaq, shefi i Kabinetit të kryeministrit, i cili njëkohësisht është edhe këshilltar politik, merr pagë mujore 1,670 euro.

Por, Zyra e kryeministrit ka edhe të 10 punonjës të tjerë, staf administrativ dhe mbështetës.

Për numrin e madh të ministrave, zëvendësministrave dhe shpenzimeve të pakontrolluara të buxhetit, Haradinaj është kritikuar në vazhdimësi.

Nga 22 ministra, 5 prej tyre janë me aktakuzë, përfshirë vepra penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “posedim të paautorizuar të armëve”.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe ai i FSK-së, Rrustem Berisha, akuzohen për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Zv.kryemninistri, Dardan Gashi, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, akuzohen për “posedim të paautorizuar të armëve”.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisw, Besim Beqaj, akuzohet për “shkelje të statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës Kosovës”.

I akuzuar për konflikt interesi ka qenë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, por që është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Të gjithë këta 5 ministra vazhdojnë punën në Qeverinë e Kosovës, derisa kryeministri, Haradinaj, ka shkarkuar zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, Musa Cena, i përfshirë në marrje të ryshfetit.

Për këtë vepër, Cena u dënua me 5 mijë euro gjobë.

Skandal i madh gjatë qeverisjes Haradinaj u konsiderua dëbimi i 6 shtetasve turq nga Kosova.

Si për temën e dialogut, ashtu edhe për dëbimin e shtetasve turq, Haradinaj tha se nuk kishte informacione. Por, pas kësaj ngjarjeje, u shkarkuan Ministri i Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefi i AKI-së Driton Gashi.

Por, ky ministër, në shumë raste, u pa të ketë telashe edhe me lexim.

Një tjetër ministër i kabinetit Haradinaj ofroi dorëheqje. Pa dhënë shumë detaje për arsyet e ofrimit të dorëheqjes, Ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahirit, nuk iu pranua dorëheqja nga kryeministri Haradinaj, e as nga kreu i PDK-së, Kadri Veseli.

Tahiri ka mohuar se largimi i tij i mundshëm nga qeveria ka të bëjë me shoqërimin që ia kishte bërë shefit të tij të dikurshëm, tash president, Hashim Thaçit, në liqenin e Ujmanit.

Kryeministri disa herë e ka thënë se ia ka lënë presidentit që të dialogojë me Serbinë. Kjo i doli jo pak telashe, pasi presidenti shpalosi idenë për korrigjim të kufijve.

Po për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë dhe për ecurinë e dialogut, Haradinaj ka pasur përplasje në deklarata e shkëmbime të letrave me ndërmjetësuesen e dialogut, Federica Mogherinin.

Kryeministri Haradinaj u është kundërpërgjigjur ashpër deklaratave të përfaqësueses së lartë të BE-së, e cila nuk e ka përjashtuar idenë për korrigjim të kufijve me Serbinë.

Haradinaj ka thënë se Mogherini e ka mbytur këtë proces me Serbinë, duke e kthyer nga dialog për normalizim, në atë për ndryshim të kufijve.

Për këtë proces, kryeministri Haradinaj ka përshëndetur vendimin e PSD-së së Shpend Ahmetit, që të marrë përgjegjësi në dialog.

Por, për kryeministrin i paqartë mbetet kundërshtimi i LDK-së e Vetëvendosjes që Kuvendi të nxjerrë një rezolutë e një ekip negociues.

Më 21 nëntor, Qeveria mori vendim për vendosjen e taksës 100 përqind për produktet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Ky vendim u mor një ditë pas dështimit që vendi të anëtarësohet në Interpol, siç u tha, si pasojë e fushatës që Serbia e bëri kundër Kosovës.

Haradinaj ka këmbëngulur se taksa ndaj Serbisë nuk do të hiqet, pavarësisht presioneve ta vazhdueshme.

Madje, ka paralajmëruar masa shtesë nëse ky shtet vazhdon të lobojë kundër Kosovës.

Edhe pse kryeministri Haradinaj premtoi se vizat do të liberalizohen gjatë tre muajve të qeverisjes së tij, kjo nuk ndodhi as gjatë vitit 2018. Pavarësisht se u votuar demarkacioni me Malin e Zi, që dikur Haradinaj ishte kundërshtar i ashpër.

Skandal gjatë qeverisjes Haradinaj u cilësua pagesa e 53 milionë eurove kompanisë “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup.

Kryeministri dhe qeveria që udhëheq, u treguan dorëlirë edhe me vendimet për dhënien e 290 mijë eurove për familjarët në rastin Kumanova dhe 300 mijë për t’i çuar veteranët e UÇK-së në det.

Vendim i shumëpritur ishte procedimi i projektligjeve për FSK-në, të cilat u votuan në Kuvend, duke i dhënë kësaj force edhe mandat ushtarak.

Kryeministri Haradinaj, për dallim nga paraardhësit e tij, është treguar i hapur me mediat, duke dhënë intervista për të gjitha mediat dhe është shfaqur i hapur për pyetjet e gazetarëve në çdo konferencë për media.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme