Arbëri

Demaj, polici i 20-të i vrarë në detyrë, Kamberi-Hoxha flet për kushtet e policëve

Kryetarja e Sindikatës së Policisë së Kosovës Valbona Kamberi-Hoxha, ka folur për kushtet që punon sot Policia e Kosovës. Ka folur edhe për policin Izet Demaj, i cili dje vdiq pasi u vra nga dorasi Kamer Metaj, i cili po ashtu vdiq.

Izet Demaj, ishte zyrtari i 20-të që u vra në krye të detyrës. Kamberi-Hoxha tha se rasti i djeshëm ishte rast tragjik.

“Do të shfrytëzoja rastin në emër të SPK-së t’i shprehim ngushëllime familjes. Është humbje e madhe për gjithë Kosovën”, tha ajo në Express Intervistën në KTV.

Kryetarja e SPK-së, tha se Policia e Kosovës po kryen detyra për të mbrojtur qytetarët.

“Nuk është e dinjitetshme të themi pse s’kemi sigurime shëndetësore. Gjatë gjithë kohës e kemi cilësuar si çështje prioritare, që ata të kenë sigurime shëndetësore. Kemi potencuar me kërkesa vazhdimisht, deri tani s’kemi asnjë informacion rreth kërkesës. Në instancat qeveritare është hera e pestë që kemi bërë kërkesë por prapë nuk kemi marrë konfirmim. Nuk e di si e vlerësojnë ata këtë sigurim jetësor, aksidental e shëndetësor”, tha ajo.

Ajo tha gjithashtu se SPK-ja, nga viti 2001, kur ndodhi vrasja e parë e policit në detyrë, kanë siguruar kushte edhe për familjet e personit (policit) që ka vdekur.

“Të gjitha familjet që kanë humbur atë gëzojnë pensionin. Të gjitha familjet që i kemi vizituar, jemi munduar t’ua zbusim situatën, nuk mundemi t’u ofrojmë shumë, por kujdes nga ana e sindikatës u kemi dhënë. Ata gëzojnë pension prej 70 për qind që u takon. Kjo nuk është mjaftueshme, por të paktën kemi folur që atyre familjeve t’ua sigurojmë për një person një vend pune”, tha ajo.

Kamberi-Hoxha tha se për problemet e tyre, nuk duan të shkojnë me protestë por me dialog.

“Sa herë kemi dërguar kërkesa përmes dialogut ose negociatave kemi marrë përgjigje pozitive. Tani u paguajtën edhe orët shtesë për policët. Nga kryeministri sot u premtua se që nga janari do të ketë edhe përmirësime tjera. Po presim të reflektojnë”, tha tutje.

Për rreziqet që përballen çdo ditë policët e Kosovës, Kamberi-Hoxha tha se kanë kushte mesatare të domosdoshme për të kryer punë.

“Policia e Kosovës është e dinjitetshme. Rrezikshmëria, sigurimi shëndetësor nuk janë perfekt por të tjera janë mirë. Jam e sigurt që çdo polic që e merr punën si polic, zbaton kodin e etikës dhe e kryen detyrën si duhet. Ne akoma po bëjmë përpjekje për t’i shtuar kapacitetet, të rrisim numrin e policëve. Por ku kemi pasë nevojë të kemi policë, gjithnjë kemi pasur. Ata punojnë me shumë përkushtim”, tha ajo.

“Sa i përket çështjeve tjera, uniformës, veturave, jemi munduar t’u sigurojmë çfarë kanë nevojë, por sigurisht na duhen ende më shumë”, shtoi tutje.