MTI-ja pranon se asnjëherë nuk është zbatuar neni 11 i Ligjit për Naftë Foto: Koha

Shala fton naftëtarët të zbresin çmimet, u kërkon të ekspozojnë çmimet

27 December 2018 17:20
18:54

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka kërkuar sot nga naftëtarët dhe shitësit e tjerë, që të reflektojnë duke zbritur çmimet e naftës.

Në një konferencë për media, minsitri Shala bëri të ditur se qysh nesër do të hyjë në fuqi edhe urdhëresa, e cila i obligon shitësit e derivateve të ekspozojnë çmimet e secilit produkt, në mënyrë që të ndalohet abuzimi me çmime në dëm të qytetarëve të Kosovës.

“Duke respektuar tregtinë e lirë, me mirëkuptim kërkoj edhe njëherë nga Shoqata e Naftëtarëve, importuesit, shitësit me pakicë që të reflektojnë dhe të zbresin çmimet e derivateve të naftës komform zbritjeve që kanë ndodhur në berëzën ndërkombëtare”, tha ai.

Shala shtoi se është duke analizuar legjislacionin aktual, në veçanti nenin 9, i cili deri më tash asnjëherë nuk është implementuar.

Njëherësh, ministri i Tregtisë u shpreh se është i përkushtuar që çdo vendim ta bazojë në analiza të sakta dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, me ç’rast u shpreh se edhe për këtë vendim, ka siguruar fillimisht të dhënat e nevojshme e që siç tha ai, kjo analizë pritet të kompletohet shumë shpejtë.

“Kjo urdhëresë do t’i obligojë operatorët ekonomik, do të thotë shitësit e derivateve të naftës, që të pasqyrojnë qartë në dimensione të mëdha, në tabela elektronike, do të thotë po flas për tabela elektrike, të cilat çdo pompë i ka në hyrje të saj, dhe në ato tabela ekspozohet, ashtu siç i obligon Ligji për mbrojtjen e konsumatorit, të obligohet çmimi për njësi i secilit produkt që ata e shesin në ato pika shitëse. Kjo urdhëresë do të hyjë në fuqi qysh nesër”, u shpreh ai.

Tutje, ministri Shala tha se urdhëresa ka për qëllim informimin e drejtë të konsumatorëve për çmimet e produkteve, para se ata të hyjnë në pikën shitëse të derivateve për të marrë produktin.

“I siguroj konsumatorët e Kosovës, qytetarët tanë, njëkohësisht edhe bizneset se MTI, Qeveria e Kosovës, pas analizimit të saktë, të plotë dhe të drejtë të situatës aktuale, do të ndërmarrë veprime dhe masa, përfshirë edhe ndërhyrjet eventuale për të mos lejuar abuzimin me çmime në dëm të qytetarëve të Republikës të Kosovës. MTI do të mbështet çdo hetim të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, për të ndaluar çdo marrëveshje të fshehtë, kartel, apo të hapur të bizneseve në fushën e derivateve të naftës”, u shpreh ai.

Tutje, Shala u shpreh se në vitin 2019 do të angazhohen të miratojnë Ligjin e ri të naftës, i cili do ta rregullojë edhe më tutje tregun e naftës, raporton Ksp.

17:20

MTI-ja pranon se asnjëherë nuk është zbatuar neni 11 i Ligjit për Naftë

Duke parë debatin publik që po zhvillohet aktualisht përkitazi me çmimin e karburanteve në tregun e Kosovës, kabineti i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, thotë është duke përcjell me fokus maksimal gjendjen aktuale të tregut edhe të naftës duke përfshirë dhe cilësinë.

“Sa i përket shkrimeve dhe debateve në media dhe opinion publik për çmimet e naftës ditëve të fundit MTI- është duke analizuar legjislacionin aktual përfshirë dhe nenin 11 te Ligjit për Tregti me Naftë i cili nen deri më tash asnjëherë nuk ishte aplikuar, edhe pse historiku na ka siguruar të dhëna se çmimi i berëzës ndërkombëtarë të karburanteve kanë lëvizur gjithmonë”, thuhet në komunikatën e MTI-së.

MTI thotë se ajo dhe Qeveria e Kosovës të gjitha vendimet i bazon në analiza të sakta dhe në përputhje me legjislacion.

“Ministri Endrit Shala ka urdhëruar ditë më parë departamentet përkatëse, inspektoratin dhe ka kërkuar dhe dhëna të sakta të shpjegimit të gjendjes aktuale përkitazi me lëvizjet e çmimit në berëzës ndërkombëtarë, me ngarkesat doganore, akcizën dhe kosto tjera, analizë të cilën duhet ta kompletojmë raportet zyrtare institucionale. MTI po pret raportet zyrtare dhe përfundimtare të institucioneve dhe varësisht nga rekomandimi tyre ne do të veprojmë ashtu siç na obligon ligji”, thuhet në njoftim.

MTI thotë se “ritheksojmë dhe sigurojmë konsumatorët, qytetaret dhe bizneset se MTI dhe Qeveria e Kosovës pas analizimit të saktë, të plotë dhe të drejt të gjendjes aktuale, do të ndërmarr veprime dhe masa përfshirë dhe ndërhyrjet eventuale për të mos lejuar abuzimin me çmime në dëm të konsumatorëve”.

“MTI do të mbështetë çdo hetim nga ana e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për të ndaluar çdo marrëveshje të fshehte apo të hapur të bizneseve në fushën e karburanteve që kanë pozitë dominuese në treg duke dëmtuar në këtë mënyrë konsumatorët”, thuhet në njoftim.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme