Arbëri

Jashari paralajmëron përshkallëzim të grevës nga mësimdhënësit nga 14 janari

Descriptive Text

Rrahman Jashari, kryetar i SBASHK-ut në “Express Intervistën” ka folur për grevën e nesërme një orëshe që do ta mbajnë institucionet arsimore në nivel vendi.

Ai ka thënë se Projektligji për Pagat është nënçmues e degradues për mësimdhënësit.

“Që nga maji e këtej duke trokitur derë më derë kemi tentuar që të dëshmojmë se Projektligji i pagave është nënçmues dhe degradues, pasi arsimin e kanë lënë në fund. Fillimisht është thënë se po punohet për nivelizim të pagave, por kjo nuk ka ndodhur. Projektligji i votuar me 3 shtator ka sjellë padrejtësi”, shprehet ai.

Ai ka shtuar se në versionin fillestar ishte paraparë që arsimi fillor ta ketë kofecientin 1.75 kurse për atë të mesëm 1.95. E kjo ishte ndryshuar nga 1.75 në dy, kurse nga 1.95 në 2.05.

“Para dy javësh jemi dakorduar me ministrin Bytyqi se do të kemi një komision të përbashkët dhe do të ndryshohen koeficientët. Nesër do të shkojmë me grevë një orëshe si paralajmërim. Në grevë nesër do të jemi nga ora 7-8 në çerdhe, kurse ora e parë do të jetë në shkolla. Uroj që ky të jetë alarmi i fundit. Përndryshe nga 14 janari do ta gjejë arsimin në grevë nga çerdhet e deri te ai universitar”, ka thënë Jashari.

Ai ka thënë se arsimtarët janë të demotivuar me këto paga, derisa ka thënë se u mungon edhe siguria në punë, e në këtë duhet të ndihmojnë edhe prindërit e edhe institucionet.

“Hapat fillestar të secilit njeri fillojnë nga arsimi, kurse me arsimtarë të demotivuar vështirë se mund të bëhet diçka. Prindërit, institucionet duhet të ndihmojnë që arsimtarët të ndihen të sigurt. Arsimtarët kanë dëshirë që të jenë të sigurt, e shpesh janë mjaft të rrezikuar. E siguria duhet të jetë edhe nxënësit edhe arsimtarët. A ka gjë më të keqe se kur ne lavdërohemi se kemi shkumësa më tepër apo tabela lëvizëse, kurse në rajon, psh në Maqedoni shkollat janë të digjitalizuara”, ka thënë Jashari.

Sipas Jasharit është më e sigurt që fëmijët në orën e parë nesër të qëndrojnë në shtëpi, e të vinë në shkollë në orën e dytë.

Sipas tij më së shumti nga grevat pësojnë fëmijët, e ka thënë se duhet të plotësohen kërkesat e tyre në mënyrë që më 14 janar, kur kthehen nga pushimi vjetor, të mos jetë gjendja e njëjtë.

“Grevat në arsim nuk ndëshkohen ata që kanë fajin, por janë fëmijët që pësojnë. Shteti duhet të alarmohet nga vërejtja e nesërme, dhe të punojë që nga 14 janari të mos kemi situatë të njëjtë. Subjektet politike duhet ta kryejnë punën e tyre, e populli së bashku me mësimdhënësit mund t’i ndëshkojnë. Mësimdhënësit dinë ta nderojnë atë që punon për ta, por dinë edhe të ndëshkojnë”, ka thënë ai.