Arbëri

Ahmeti: Më 8 janar, delegacioni shtetëror për dialog, pa Thaçin, kemi takim në Bruksel

Foto: Koha

Shpend Ahmeti, bashkëkryesues i delegacionit shtetëror për dialog me Serbinë, ka thënë pas takimit me kryeparlamentarin Kadri Veseli, presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj e të tjerët, se delegacioni më 8 janar do të zhvillojë takimin e parë në Bruksel.

“Më 8 janar do të kemi takim në Bruksel me lehtësuesit e procesit të dialogut për të diskutuar mbi ecurinë e procesit të dialogut”, tha Ahmeti, duke theksuar se presidenti Thaçi nuk është pjesë e delegacionit shtetëror.

"LDK dhe VV i kanë dy vende të rezervuara në delegacionin shtetëror, dhe ne do t’u dërgojmë vazhdimisht thirrje për të marrë pjesë në takime".

“Unë nuk e di që kanë qëndrime të ndryshme. Mirë është që të kemi një zë që ta çojmë procesin përpara”, theksoi ai, raporton Koha.net.

“Edhe kryeministri edhe presidenti thanë se jemi në mbështetje të delegacionit shtetëror”, u shpreh Ahmeti.

“Delegacioni shtetëror ka Rezolutë që ia përcakton mandatin këtij Delegacioni. Ne kemi Kushtetutë, s’mund t’i ikim. Nëse flasim për shkëmbime territoresh, atëherë ne e kemi Kushtetutën”, theksoi bashkëkryesuesi i Delegacionit shtetëror.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj, shkurtimisht tha: “I përkrahi krejt çka thanë”, duke potencuar se shkëmbimin e territoreve nuk e pranojmë.

Veseli tha se takimi ka shkuar shumë mirë, dhe çdo gjë gjatë këtij procesi do të jetë transparente dhe nga ky proces Kosova do të dalë fitimtare.

“LDK e VV të mos na shikojnë neve si faktorë politikë, ata duhet vetëm ta duan Kosovën”, tha Veseli. “Duhet t’i tregojmë Vuçiqit se s’mundet të flasë në emrin tonë, t’i tregojmë se nuk është njeri i moderuar”.