Arbëri

Mustafa: Marrëveshja me Serbinë s’mund të përmbyllet pa trashëgimtarët e rezistencës së Rugovës dhe të UÇK-së

Foto: Driton Paçarada / Koha

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa përmes një postimi në Facebook ka thënë se pa dy krahët, atë të trashëgimisë së rezistencës së Ibrahim Rugovës dhe atë të dalë nga UÇK-ja, nuk mund të përballohet përmbyllja e marrëveshjes me Serbinë.

Ai thotë se ngjarjet kombëtare e festat fetare na bëjnë bashkë ne shqiptarët.

“Na ka bërë bashkë edhe rreziku i zhbërjes sonë në shumë faza të historisë, sidomos në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar. Në ngjarje dhe raste të tilla jemi kursyer nga humbja e energjisë për ta sulmuar dhe denigruar njëri tjetrin, sepse kemi vlerësuar nevojën e kohezionit kombëtar e qytetar, dhe që dallimet tona t’i shfrytëzojmë si vlera dhe pasuri tona të diversitetit karshi rrezikut nga jashtë. Edhe tani, kur po ballafaqohemi me tendencat e Serbisë për të shkallmuar një pjesë të territorit të Kosovës dhe për ta bërë jofunksional shtetin tonë të ri, kemi nevojë të veprojmë bashkërisht për ta mbrojtur atë çfarë të gjithë ne e kemi ndërtuar”, ka shkruar Mustafa .

Ai shton se përgjegjësia e gjithë neve nuk është vetëm të marrim përgjegjësi, por që këtë përgjegjësi ta marrim sipas kandarit me të cilin qytetarët tanë na kanë bërë përgjegjës para tyre dhe para Kosovës.

“Në këtë situatë është pak e rëndësishme se kush është pozitë e kush opozitë, sa është e rëndësishme se pa pozitën dhe pa opozitën e mirëfilltë nuk ka zgjidhje të çështjeve me interes shtetëror dhe nacional. Dhe, po ashtu se pa dy krahët, atë të trashëgimisë së rezistencës së Ibrahim Rugovës dhe atë të dalë nga UÇK, nuk mund të përballohet përmbyllja e marrëveshjes me Serbinë”, thotë Mustafa.

Mustafa thekson se në këto procese nuk mund të përjashtohet askush, sepse nuk ka parti dhe njeri që nuk e do Kosovën dhe shtetin e Kosovës, por çdokush e do sipas mënyrës së vet dhe me kutin e vet.

“Në kohën kur kemi institucione kushtetuese nuk na lejohet të improvizojmë, sepse zgjidhja mund të jetë ajo që është e pranueshme për shumicën që e përcakton Kushtetuta jonë”, ka thënë kreu i LDK-së.